NBA, John Wall ndërpret kontratën me Rockets; përgatit kalimin tek LA Clippers

Sport

John Wall dhe Houston Rockets do të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre. Edhe pse mes palëve prej kohësh shumë gjëra ishin qartësuar, Wall mbetej i lidhur me skuadrën teksane edhe me një vit kontratë, pasi shfrytëzoi mundësinë e rinovimit me një vit, nga ku do të përfitonte një shifër stratosferike prej 47,4 milionë dollarësh. Wall ka hequr dorë nga thuajse 7 milionë dollarë, në mënyrë që të ndërpresë që tani kontratën me Rockets dhe të kthehet në një lojtar të lirë për merkaton e verës. Në fillim të sezonit të shkuar, Wall dhe Rockets vendosën që 31-vjeçari të mbetej jashtë skuadre, për arsye se teksanët janë përqëndruar tek një rindërtim me të rinjtë.

Wall në anën tjetër nuk kishte ndërmend të hiqte dorë nga paratë e tij dhe vendosi të rinovonte me një vit kontratën, diçka që erdhi vetëm si dëshirë e lojtarit, vetëm e vetëm për të përfituar deri në fund nga kontrata maksimale që pati firmosur dikur. Tani që do të jetë një lojtar i lirë, 31-vjeçari do të ketë mundësinë të firmosë me cilëndo skuadër. Mediat amerikane raportojnë se John Wall i ka idetë të qartë dhe se në sezonin e ardhshëm, kërkon të jetë pjesë e Los Angeles Clippers. Ai kërkon të bashkojë forcat me Kawhi Leonard dhe Paul George, të cilët pritet të kthehen në formën e tyre më të mirë fizike, duke e shndërruar skuadrën kaliforniane në një pretendente kryesore sa i përket objektivit ‘Finale’. Në 40 takime të luajtura me Houston Rockets, John Wall regjistroi një mesatare prej 20,6 pikësh për ndeshje dhe thuajse 7 asiste. Tek Clippers, 31-vjeçari është i vetëdijshëm se do të renditet pas Leonard dhe George sa i përket përgjegjësive, por Wall e sheh këtë si një mundësi të mirë për të mbërritur tek titulli kampion.