Ashtu siç ishte paralajmëruar, Joel Embiid është fituesi i çmimit më të rëndësishëm individual në sezonin e rregullt të NBA, atë të ‘MVP’-s. Ylli i Philadelphia 76ers ia doli të triumfonte ndaj konkurencës së fortë të liderit të Denver Nuggets, Nikola Jokic dhe atij të Milëaukee Bucks, Giannis Antetokounmpo. Edhe pse në sondazhet e bëra përpara nisjes së fazës ‘playoffs’ Embiid shihej në garë të fortë me Jokic, nga votimet e bëra zyrtarisht, kamerunasi ka arritur të marrë mbështetjen e pjesës më të madhe të votuesve. Gjigandi i Sixers grumbulloi 73 vota për vendin e parë në garën e ‘MVP’-s, nga 100 në total, ndërsa Jokic siguroi vetëm 15 të tilla. 12 vota për ‘MVP’ shkuan drejt Giannis, ndërkohë që Jayson Tatum i Boston Celtics i rendit i katërti dhe Shai Gilgeous-Alexander në vendin e pestë.
Vlerësimi si ‘MVP’ për Embiid duket si një shpagim për punën e palodhur të viteve të fundit nga ana e kamerunasit. 29-vjeçari pati gjatë këtij edicioni një ecuri të jashtëzakonshme në sezonin e rregullt, duke vendosur rekorde në aspketin personal, me një mesatare prej më shumë se 33 pikësh, 10 ribaundesh, 4 asistesh dhe 2 blloqe për ndeshje. Duke shfrytëzuar fomrën e kamerunasit, Philadelphia la pas nisjen e dobët të sezonit, duke u renditur në vendin e tretë, ndërkohë që shihen tashmë si favoritë për të shkuar në finalet e mëdha të NBA. Vetë lojtari u shfaq i emocionuar për vlerësimin e marrë, teksa momentin e ndau me shokët e tij të skuadrës. Për të pestin vit radhazi, një lojtar jo-amerikan merr çmimin si ‘MVP’ i sezonit të rregullt, pasi në 4 vitet paraardhëse, ata që kanë dominuar kanë qenë pikërisht Antetokounmpo dhe Jokic, me nga 2 çmime secili.