Boston Celtics kanë vendosur të shmangin surprizat e të firmosin rinovimin e kontratës me Jaylen Brown, mirëpo kjo kontratë e re, do të hyjë në histori si më fitimimprurësja për një lojtar. Mediat amerikane kanë zbuluar se Brown ka firmosur një kontratë 5-vjeçare me Celtics, nga ku në total, do të përfitojë më shumë se 303 milionë dollarë. Këtë e ka konfirmuar më vonë edhe agjenti i lojtarit, Jason Glunshon, me Brown që tashmë ka marrë gjithë besimin e nevojshëm për të vijuar punën tek Celtics. Prej disa kohësh, agjenti i lojtarit kishte nisur bisedimet me drejtuesit e skuadrës nga Masachusests, derisa u vendos për firmosjen e kësaj kontrate historike. Shifrat që Brown do të përfitojë kalojnë ato të kontratës së firmosur nga Nikola Jokic, që më herët gjatë vitit, pati rinovuar marrëveshjen e tij me Denver Nuggets, për një total prej 276 milionë dollarësh në 5 vite. Ndërkohë që kontrata mes Brown e Celtics thuhet të jetë firmosur të hënën e 24 korrikut, kur 26-vjeçari ka ndalur pushimet pikërisht për të konkretizuar këtë rinovim të marrëveshjes me klubin. Në këtë mënyrë, ata të Celtics ‘blindojnë’ pozitat e dyshes kryesore të skuadrës. Jayson Tatum e Jaylen Brown do të vijojnë të jenë pika e referimit në projektin e Bostonit dhe drejtuesit do të përpiqen të ndërtojnë me kujdes ekipin rreth tyre. Po ashtu vlen të theksohet se Brown, ka edhe një vit kontratë nga marrëveshja fillestare me Celtics dhe sezonin e ardhshëm, do të përfitojë pothuajse 32 milionë dollarë. Ndërsa nga sezonin 2024/2025, do të hyjë në fuqi marrëveshja e re, ku në vitin e parë do të arkëtojë më shumë se 52 milionë dolllarë. Fundi i kësaj marrëveshjeje do të vijë në 2029-ën, kur Brown do supozohet të fitojë më shumë se 69 milionë dollarë. Në edicionin e kaluar të NBA, Brown luaji 67 ndeshje me fanellën e Boston Celtics, duke regjistruar mesatarisht 26,6 pikë, 7 ribaunde e më shumë se 3 asiste për ndeshje. Ai u bë pjesë e kësaj skuadre në vitin 2016, kur u zgjodh i treti, në raundin e parë të ‘Draft’-it të atij viti.