Cleveland Cavaliers kanë arritur të marrin një fitore të vuajtur, por shumë të rëndësishme përballë Indiana Pacers, me rezultatin final 98-95. Me 44 pikë, 8 asiste dhe 10 zotërime të topit nën tabelë, LeBron James ishte njeriu i ndeshjes per Cavaliers, që në sekondat e fundit të lojës rrezikuan seriozisht humbjen. Kur shifrat ishin në barazim me nga 95 pikë secila skuadër, rreth 25 sekonda nga fundi i takimit, James gabon dhe i jep mundësinë Indianës të fitoje sfidën, por lideri i Pacers, Victor Oladipo kërkon ta zgjidhë i vetëm ndeshjen dhe has në bllokun e fortë të LeBron James, që korrigjoi gabimin e tij.
Kështu, me vetëm 3 sekonda kohë të mbetur, Cleveland përdor një skemë që e nxjerr yllin e skuadrës të lirë, dhe me një goditje për 3 pikë, “mbreti” James i jep Cavaliers fitoren e ndeshjes dhe avantazhin 3-2 në serinë përballë Pacers. Në ndeshjen tjetër të ´Konferencës së Lindjes´, Toronto Raptors rimorën kryesimin e serisë ndaj Washington Wizards 3-2, teksa i mundën këta të fundit në ndeshjen e 5 me rezultatin 108-98. DeMar DeRozan ishte sërish ylli i mbrëmjes për Raptors, me 32 pikë, 5 asiste dhe 2 zotërime të topit nën tabelë.