James Harden kërkon titullin kampion në NBA. ‘The beard’ është i vendosur për të mbërritur tek trofeu më i rëndësishëm i basketbollit dhe për këtë gjë, ka hequr dorë nga një kontratë fitimprurëse. Harden nuk e shfrytëzoi opsionin e rinovimit me një vit të kontratës me Philadelphia 76ers, nga ku do të përfitonte më shumë se 45 milionë dollarë në vit dhe ka shpjeguar arsyet se pse e ka bërë këtë gjë. Harden zbuloi se ka folur me drejtuesit e Sixers, me në krye drejtorin e përgjithshëm, Daryl Morey, ku e ka bërë të qartë se synimi është të mbërrijnë tek titulli kampion.
Për këtë arsye, Harden i ka deklaruar se i gjithë buxheti i pagave të skuadrës, të vendoset në dispozicion të afrimeve të rëndësishme, që mund të plotësojnë si duhet detyrat e vendosura nga trajneri Doc Rivers. Vetë Harden është i gatshëm të paguhet atë që do të mbesë nga buxheti, duke provuar se dëshira për të arritur tek titulli kampion vlen më shumë se sa milionat që do të përfitonte nëse do të aplikonte rinovimin automatik me një vit të kontratës. Harden në anën tjetër e di se duhet të përmirësohet në aspektin fizik dhe thotë se është duke punuar me këtë gjë, ndërkohë që pritet të tregohet kujdes edhe me Joel Embiid, dëmtimi i të cilit ndikoi jo pak në eleminimin e Sixers nga faza ‘play-offs’.
Skuadra nga ‘Konferenca e Lindjes’ këtë verë ka afruar emra si PJ Tucker, Danuel House apo De’Anthony Melton, por priten të tjera lëvizje në javët në vazhdim. James Harden ka arritur të fitojë çmime të rëndësishme përgjatë karrierës, si ‘MVP’ i sezonit të rregullt, 3 tituj si shënuesi më i mirë, ndërkohë që ka qenë pjesë e ‘All-Star’ në 10 raste. Por ‘the beard’ është ende në ndjekje të një titulli kampion, me ‘Finalet’ e mëdha që i ka shijuar vetëm 1 herë, në 2012-ën, kur luante për Oklahoma City Thunder.