NBA, James Harden arrin marrëveshjen me Philadelphia 76ers

Sport

James Harden sakrifikoi mundësinë për të aplikuar rinovimin e kontratës me Philadelphia 76ers, nga ku do të përfitonte 47 milionë dollarë, vetëm që skuadra të kishte hapësirat financiare për të ndërtuar një ekip fitues. ‘The beard’ shpjegoi se dëshira për të mbërritur tek titulli kampion e ka shtyrë të marrë një vendim të tillë, por në asnjë moment nuk e ka vënë në dyshim faktin se dëshiron të luajë me skuadrën e Sixers. Mediat amerikane zbulojnë se palët tashmë kanë gjetur një akord final sa i përket kontratës së re të James Harden. Ai do të jetë pjesë e Philadelphia-s edhe për 2 vitet e ardhshme, ku viti i dytë, pra sezoni 2023/2024 do të jetë si opsion i vetë lojtarit. Në vitin e tij të parë të kontratës, ‘the beard’ ka të garantuara 33 milionë dollarë, ndërsa nëse vendos ta zgjas kontratën e tij, atëherë do të përfitonte edhe 35,6 milionë të tjera.

Pra, në total, kontrata dy-vjeçare e propozuar nga Sixers, do ta shihte Harden të arkëtonte më shumë se 68 milionë dollarë. Falë asaj sakrifice financiare të Harden, Sixers patën mundësi të lëviznin në merkato dhe të afronin emra të rëndësishëm për trajnerin Doc Rivers, siç janë P.J. Tucker, Danuel House dhe De’Anthony Melton. Philadelphia ka ende mundësitë financiare për të firmosur me të tjerë lojtarë, që mund të kompletonin një stol cilësor për një sezon të gjatë, por deri më tani nuk ka ndonjë emër në merkato që tek Sixers mund ta shfytëzojnë siç duhet. James Harden ishte pjesë e Brooklyn Nets për 1 sezon dhe në shkurtin e këtij viti u transferua tek Philadelphia 76ers, me Ben Simmons, Seth Curry dhe Andre Drummond që kaluan në New York. Me fanellën e Sixers, Harden ka zhvilluar deri më tani 21 ndeshje, me një mesatare prej 21 pikësh, 10 asistesh dhe 7 ribaundesh për ndeshje.