Me përfundimin e sezonit të rregullt të NBA dhe afrimin e fazës finale “play-off”, lojtarët e skuadrave pretendente japin maksimumin për të mbyllur sa më parë çështjen e kualfikimit. LeBron James ka rikthyer skuadrën e Cleveland Cavaliers tek fitorja, teksa mundën 129-107 skuadrën e Phoenix Suns. “Mbreti” James realizoi në këtë sfidë “triple-double” e 69 në karrierë dhe të 14-in sezonal, me 28 pikë të shënuara, 11 asiste dhe 13 zotërime të topit nën tabelë.
Paraqitje të mirë tek Cleveland bënë edhe Clarkson e Korver, që e mbyllën takimin me 23 dhe 22 pikë. Cavaliers ruajnë vendin e katërt në Konferencën e Lindjes, njësoj siç bën Oklahoma City Thunder në atë të Perëndimit. Të udhëhequr edhe njëherë nga Russell Westbrook, Thunder mposhtën 119-107 Atlanta Hawks. Kjo fitore ishte mjaft e veçantë për Westbrook, që me 32 pikë, 12 asiste dhe 12 zotërime të topit nën tabelë, realizoi “triple-double” e 100 në karrierën e tij, duke u bërë basketbollisti i katërt në historinë e NBA që arrin një shifër tillë.