NBA, ja ecuria e skuadrave…

Sport

Brooklyn Nets vazhdon rënien e lirë në Konferencën e Lindjes në NBA. Disfata jashtë shtëpie ndaj Miami Heat me rezultatin 115-111 ka qenë e 11-ta radhazi për skuadrën e Steve Nash, që pavarësisht përpjekjeve, nuk po mundet ta dalë dot nga kjo situatë e ndërlikuar.

Ndaj Heat, 29 pikët e shënuara nga Kyrie Irving, së bashku me 5 rebound dhe 5 asist, kanë shkuar dëm, pasi në fund mbetën vetëm si statistikë, duke mos ardhur dot në ndihmë të skuadrës. Në këtë panoramë ngjarjesh, Nets zbresin të 8-tët në klasifikim, ndërsa Miami Heat vijon kryesimin e Konferencës së Lindjes dhe suksesi ndaj Brooklyn ishte I 5-ti radhazi për ta.

Më tej, Chicago Bulls, që klasifikohet në vendin e dytë, ka regjistruar fitoren e 3-të radhazi dhe e fundit është ajo ndaj Oklahama City Thunder me shifrat 106-101. I përhershmi DeMar DeRozan ka marrë edhe një herë tjetër mbi shpinë skuadrën e tij, teksa për 39 minuta e 48 sekonda që është aktivizuar në parket, ka shënuar 38 pikë, 6 rebound dhe 5 asist. Po ashtu, për Chicagon, padyshim që duhet përmendur edhe paraqitja shumë e mirë e Nikola Vucevic, i cili regjistroi 31 pikë në tabelë, e njëkohësisht edhe 15 rebound.

Sa i përket Milwaukee Bucks,  kampionët në fuqi, janë dorëzuar pas 4 fitoreve radhazi, teksa këtë herë janë mposhtur jashtë shtëpie me rezultatin e thellë 131-107 nga Phoneix Suns dhe mbeten kësisoj të 4-tit në renditje, pas Cleveland Cavaliers. Këta të fundit, janë mposhtur 103-93 nga Philadelphia 76-ers e vendit të 5-të. Po ashtu, vazhdon me ecurinë e përkryer skuadra e Boston Celtics, që me suksesin 105-95 ndaj Atlanta Hawks, ka arritur fitoren e 8-të radhazi në Konferencën e Lindjes, duke u klasifikuar në këtë mënyrë në vendin e 6-të të tabelës së renditjes.