NBA, Irving do të jetë pjesë e Brooklyn Nets; Kyrie ka vendosur të qëndrojë edhe 1 vit

Sport

Kyrie Irving do të vijojë të jetë pjesë e Brooklyn Nets edhe për sezonin e ardhshëm. Edhe pse pati shumë diskutime dhe spekulime rreth të ardhmes së tij, Irving ka vendosur të thyejë heshtjen, duke zbuluar vendimin final. 30-vjeçari do të aplikojë mundësinë e zgjatjes automatike me 1 vit të kontratës me Nets, që ishte parashikuar në kontratën fillestare, duke bërë që organizatori i Brooklyn të përfitojë rreth 36,5 milioën dollarë për sezonin e ardhshëm. Edhe pse Irving kishte përpiluar një listë skuadrash se ku mund të luante nga viti i ardhshëm, mediat amerikane zbulojnë se Los Angeles Lakers janë të vemtit që kanë shfaqur interes konkret për të. Por kalifornianët për momentin nuk mund t’i ofronin më shumë se një pagë prej 6 milionë dollarësh, gjë që Irving kurrësesi nuk do ta pranonte.

Kështu, me vendimin për të aplikuar opsionin e rinovimit me 1 vit të kontratës me Nets, Irving i ka siguruar vetes një diferencë të konsiderueshme prej 30 milionë dollarësh. Kjo do të thotë se lojtari me shumë gjasa do të largohet nga Brooklyn në fundin e sezonit të ardhshëm. Kjo mund të ndryshonte vetëm nëse Irving do të luante rregullisht me skuadrën. 30-vjeçari kërkoi nga Nets një kontratë maksimale, me pagën më të lartë në skuadër, që të firmoste një rinovim afatgjatë të bashkëpunimit. Mirëpo drejtuesit e Nets nuk e pranuan diçka të tillë, duke u justifikuar me faktin që Irving ka humbur më shumë se 55% të ndeshjeve të tij me Brooklyn, herë për dëmtim, e herë për arsye personale, shpeshherë edhe misterioze nga ana e Irving. ‘Uncle Drew’ mbetet gjithësesi një ndër lojtarët më të mirë në botë dhe padyshim që qëndrimi i tij do të mirëpritet nga tifozët e Nets. Kjo, edhe për faktin se nga ky vendim i Irving mund të ndikohet edhe Kevin Durant, që po ashtu me gjasa do të hedhë poshtë mundësinë e largimit, për të vijuar bashkëpunimin me Irving.