NBA, Irving debuton me fitore për Mavericks; Portland mposht Golden State

Sport

Kyrie Irving e ka nisur ‘me këmbën e mbarë’ rrugëtimin e tij me Dallas Mavericks. 30-vjeçari udhëhoqi skuadrën teksane në triumfin 110-104, në parketin e Los Angeles Clippers, në një sfidë ku Irving ishte shënuesi më i mirë i takimit me 24 pikë. Tek vendasit ndërkohë ishin 3 lojtarë që arritën kuotën e 20 pikëve, por pavarësisht kësaj nuk ia dolën të mposhtnin Dallasin, edhe pse këta luanin pa Luka Doncic.

Triumf i rëndësishëm për Portland Trail Blazers, që me rezultatin 125-122, mposhti nj nga rivalët direkt për fazën finale të sezonit, Golden State Warriors. Damian Lillard regjistroi ‘triple-double’-in e dytë në karrierë me 33 pikë, 10 ribaunde e 11 asiste, duke bëri sërish liderin për skuadrën e tij. Në mungesë të Steph Curry-t, Jordan Poole dhe Klay Thompson ishin shënuesit më të mirë për Warriors. Ata realizuan respektivisht 38 dhe 31 pikë, por që nuk e shmangën këtë humbje në transfertë të kampionëve në fuqi.

Një klasike e ‘Konferencës së Lindjes’ ishte përplasja mes Philadelphia 76ers dhe Boston Celtics, me këta të fundit që triumfuan 106-99 në ‘TD Garden’. Takimi nisi mes tensioneve, me tifozët vendas që bënë më të mirën për të mbështetur Tatum e të tjerët. Celtics morën një avantazh prej 3 pikësh që në fundin e periodës së parë dhe ia dolën të bënin më të mirën për ta menaxhuar situatën. Tek Sixers, Embiid e mbylli si shënuesi më i mirë me 28 pikë, ndërsa James Harden u ndal në 26 pikë e 11 asiste. Tek Bostoni, asnjë lojtar nuk e kaloi kuotën e 20 pikëve, por kjo nuk solli probleme për të marrë fitoren e radhës, për më tepër ndaj një rivali direkt.