Dëmtimi i Tyrese Haliburton në finalet e këtij viti në NBA, do të mbahen mend gjatë si një nga momentet më kyçe të sezonit. Ylli i Indiana Pacers këputi tendinën e Akilit në periodën e parë të ndeshjes së shtatë të finaleve ndaj Oklahoma City Thunder, duke braktisur skuadrën e tij në sfidën më të rëndësishme të vitit për ta. Haliburton ka folur gjatë në intervistën e tij të fundit për atë që ai e cilësoi si një momentet më errëta të jetës së tij. 25-vjeçari e pranoi se dëmtimet janë pjesë e sportit, e sidomos aty ku kontakti fizik është i pashmangshëm. Por në rastin e tij, ai ndjen keqardhje sepse e quan thjesht fat të keq. Edhe pse lojtarët e NBA janë të përgatitur për të përballuar psikologjikisht situata të tilla, por gjithësesi, të humbasësh mundësinë e titullit kampion, në ndeshjen më të rëndësishme të karrierës, është diçka që kurrësesi nuk mund të përtypet lehtë.
Haliburton zbuloi po ashtu se në momentin kur mjekët e skuadrës kërkuan ta shoqëronin drejt dhomave të zhveshjes, ai vetë refuzoi, duke këmbëngulur për të ecur vetë. 25-vjeçari kujton idhullin e tij, Kobe Bryant, i cili në një situatë të ngjashme, jo vetëm që u cua për të ecur vetë, por ekzekutoi edhe gjuajtjet e lira. Duke kujtuar atë moment frymëzues, Haliburton kërkoi të ecte vetë drejt dhomave të zhveshjes, por kjo gjë ishte e pamundur, për shkak të dhimbjeve të tmerrshme në këmbën e tij.
Pasi iu nënshtrua një ndërhyrjeje për dëmtimin e pësuar, Haliburton dhe skuadra e Indiana Pacers kanë konfirmuar se lojtari me gjasa nuk do ta prekë fare parketin në një ndeshje zyrtare të NBA gjatë sezonit të ardhshëm. Kjo është një goditje e madhe për skuadrën dhe tifozët nga Indianapolis, që do të duhet të presin shumë gjatë, përpara se të shohin yllin e tyre të udhëheqë sërish ekipin.