Houston Rockets dhe Clint Capela do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre edhe për 5 vite të tjera. Palët më në fund kanë arritur të gjejnë një marrëveshje, për të cilën ishin futur në bisedime prej më shumë se një muaji. Ngërçi i vetëm i kësaj tratative ishte vetëm kërkesa e basketbollistit zvicerian për të fituar 100 milionë dollarë brenda 5 viteve të kontratës, por që pranoi të ulte pretendimet deri në 90 milionë dollarë. Firmosja me Capelan është cilësuar si një goditje e domosdoshme për Houston Rockets, që do të vazhdojnë të luftojnë për të arritur finalen e madhe të NBA, si rivalët më të mëdhenj të Golden State Warriors në “Konferencën e Perëndimit”.
Capela vjen nga sezoni i tij më i mirë i karrierës, teksa me teksanët, përgjatë 2017-2018 shënoi një mesatare prej 13.9 pikësh, 10,8 zotërimesh të topit nën tabelë dhe thuajse 2 bllokime për ndeshje. Ndërsa sa i përket afrimeve të tjera, së fundmi është përfolur emri i Nicolas Batum. Largimi nga Houston i Trevor Ariza dhe Luc Mbah a Moute kanë vënë në lëvizje drejtuesit e skuadrës për të gjetur një lojtar të fortë në mbrojtje, dhe mesa duket Batum i Charlotte Hornets është përzgjedhja për sezonin e ardhshëm.