NBA, Houston fiton pa probleme ndaj Sacramentos, Lillard mposht i vetëm Philadelphian

Sport

Houston Rockets kanë siguruar fitoren e radhës në NBA, teksa kaluan pa probleme skuadrën e Sacramento Kings, që duket se ka dalë nga objektivat e këtij sezoni. Teksanët triumfuan 129-112, ndërkohë që në mënyrë surprizë, shënuesi më i mirë i ndeshjes nuk ishte James Harden, por Austin Rivers. Ky i fundit realizoi plot 41 pikë, ndërsa sa i përket Harden, ‘the Beard’ dha kontributin e tij me 32 pikë, 7 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë. Tek Sacramento lojtari më i mirë ishte Fox me 26 pikë dhe 9 asiste, çfarë ishin shumë pak për t’i dhënë një tjetër rrjedhë lojës. Në fakt, Sacramento mori avantazhin pas periodës së parë të lojës, të cilën e fituan me rezultatin e pjesshëm 36-23, por menjëherë pas kësaj, Rockets shpalosën cilësitë e tyre për të kthyer ndeshjen pa shumë telashe.

Ka patur spektakël ndërkohë në sfidën mes Philadelphia 76ers dhe Portland Trail Blazers, me këta të fundit që ia dolën të fitojnë me rezultatin e ngushtë 124-121. Damian Lillard ishte absolutisht njeriu i ndeshjes, pasi realizoi plot 51 pikë, çfarë ishin një goditje e rëndë për Philadelphian. Por problemet e 76ers nuk mbraojnë me kaq, pasi panë të dëmtohej në minutat e para që zbriti në parket edhe Joel Embiid. Ndërsa Richardson ishte shënuesi më i mirë për ta me 34 pikë, shumë larg performancës së shkëlqyer të Lillard.

Është befasuar ndërkohë skuadra e Los Angeles Clippers, që pavarësisht se pa Kawhi Leonard të shënonte plot 39 pikë, u mposht me rezultatin 129-120 nga Brooklyn Nets.