NBA, Houston dhe Golden State shumë pranë finales së «Perëndimit»

Sport

rockett
Houston Rockets ia kanë dalë mbanë të marrin fitoren e radhës ndaj Utah Jazz, kësaj here me rezultatin 87-100, duke e çuar në 3-1 serinë e ndeshjeve të kësaj përballje. Chris Paul me 27 pikë, 6 asiste dhe 12 zotërime të topit nën tabelë ishte më i miri në parket në sfidën e katërt mes Houston dhe Utah. Kurse James Harden u ndal në vetëm 24 pikë të shënuara. Tek Jazz, më i miri ishte sërish Donovan Mitchell, që pavarësisht se realizoi 25 pikë, 2 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë, nuk ia doli të shmangte humbjen e skuadrës së tij.
3-1 shënon tashmë edhe seria mes New Orleans Pelicans dhe Golden State. Kampionët në fuqi të Warriors fituan ndeshjen e katërt ndaj Pelicans me rezultatin e thellë 92-118, me Kevin Durant që shënoi 38 pikë, 5 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë. Tek New Orleans ndërkohë më i miri ishte Anthony Davis, që realizoi 26 pikë dhe fitoi 12 duele për topin nën tabelë.
Kështu Houston dhe Golden State janë vetëm një fitore larg kualifikimit më tej, ku do të përballen mes tyre në finalen e “Konferencës së Perëndimit”, për të nxjerrë më të mirën në finalen e madhe të NBA.