Një ‘fadeaway jumper’ në sekondat e fundit të përiodës së tretë, shënoi momentin historik që të gjithë në Los Angeles dhe anëmbanë botës kishin pritur. LeBron James është zyrtarisht shënuesi më i mirë i historisë së NBA, duke parakaluar legjendën e Lakers dhe Bucks, Kareem Abdul-Jabbar. Sfida ndaj Oklahoma City Thunder ishte një përballje direkte mes dy skuadrave që synojnë një vend në zonën ‘play-in’, por padyshim që vëmendja ishte tek ‘mbreti’ James. Lideri i Lakers duhet të shënonte të paktën 36 pikë për të kaluar rekordin e Abdul-Jabbar dhe ‘Crypto.com Arena’ ishte mbushur në maksimumin e kapacitetit, për një rekord që shihej i pamundur për t’u thyer. Rekordi me 38387 i Abdul-Jabbar ishte në fuqi prej thuajse 40 vitesh, por një prej atyre që shihet ndër më të mirët e historisë së këtij sporti, ia doli ta thyente, në moshën 38-vjeçare, duke dëshmuar pse të gjithë e thërrasin ‘mbreti’. Nën shoqërinë e komisionerit të NBA, Adam Silver, Jabbar dhe Lebron ndanë një moment special, si për të kaluar stafetën e këtij rekordi të rëndësishëm. James është një ndër asistuesit më të mirë të ligës, mes më të mirëve në ribaunde, blloqe, rikuperime të topit, pasime dhe tani e tutje, edhe më i miri sa i përket shënimit të pikëve. Pavarësisht rezultatit të ndeshjes, me Oklahoman që triumfoi 133-130 ndaj Lakers, ajo se çfarë u përjetua në Los Angeles është diçka që kalon çdo limit të historisë. Ndoshta do të nevojiten 4 dekada të tjera që ky rekord të thyhet sërish, ndoshta më pak, ose ndoshta nuk do të arrihet më kurrë. Një gjë tashmë është e sigurt, një si LeBron James, vështirë se mund shkelë sërish parketin e NBA.