James Harden u shpall basketbollisti më i mirë i sezonit 2017-18 në NBA. Ylli i Houston Rockets u përzgjodh si “MVP” i sezonit të rregullt, duke mundur në këtë garë LeBron James dhe Anthony Davis. Harden tashmë i ka objektivat e tij të qarta. Siç vetë ai tha, dëshira e tij më e madhe është të shpallet kampion i NBA me Houston, diçka të cilën mund ta kishte arritur këtë sezon, por teksanët u mundën në finalet e “Konferencës së Perëndimit” nga Golden State Warriors.
“Titulli mbeti një peng dhe më vjen keq që nuk dolëm në finalen e madhe. Megjithatë, kjo mbetet një sfidë për seoznin tjetër, për të fituar titullin kampion”, tha 6 herë pjesëmarrësi në “All Star Game”.Sa i përket çmimit si “MVP”, ky ishte vlerësimi i parë madhor individual që Harden merr, pas çmimit si lojtari i gjashtë më i mirë, të cilën e mori para 6 sezonesh. Këtë vit, 28-vjeçari e mbylli me një mesatare prej 30.4 pikësh për ndeshje, 8.8 asistimesh dhe 5.4 zotërimesh të topit nën tabelë. Statistika këto të arritura në 72 ndeshjet e sezonit të rregullt të luajtura prej tij.