James Harden e ka hedhur poshtë mundësinë për shfrytëzuar opsionin e lojtarit në kontratën e tij me Clippers, për të rinovuar me 1 vit me skuadrën kaliforniane. Kjo, jo për shkak se ‘the Beard’ do të largohet nga Los Angeles, por sepse do të ketë një kontratë më afatgjatë. Mediat amerikane kanë zbuluar se Harden ka rënë dakord me drejtuesit e klubit për një zgjatje të bashkëpunimit mes tyre edhe me dy vite të tjera, nga ku lojtari do të përfitojë në total plot 81,5 milionë dollarë. Tashmë 35-vjeçar, Harden provoi gjatë sezonit që lamë pas se ka ende dëshirën për të luajtur në nivelet më të larta, teksa e mbylli me një mesatare prej thuajse 23 pikësh për ndeshje, 9 asistesh dhe 6 ribaundesh. Shifra solide për një veteran, që ende është në kërkim të titullit të parë në karrierë. Duke parë dëmtimet e shpeshta të Kawhi Leonard, drejtuesit e Clippers shohin tashmë Harden si një pikë referimi për skuadrën e trajnerin Tyronn Lue, ndërkohë që po studiojnë ende mundësitë e merkatos për të bërë ndryshimet e nevojshme në skuadër. Nëse Harden do të shfrytëzonte opsionin e rinovimit njëpalësh të lojtarit, do të fitonte diçka më tepër se 36 milionë dollarë, ndërkohë që me akordin e ri të arritur me Clippers, do të përfitojë shumë më shumë në të dy sezonet.
Edhe Houston Rockets po bën lëvizje të rëndësishme për të ardhmen e klubit, teksa ka rinovuar marrëveshjen me 22-vjeçarin, Jabari Smith Jr. Kontratë e re synon të mbajë sulmuesin tek skuadra teksane për 5 vite, nga ku do të përfitojë në total 122 milionë dollarë. Ky është edhe maksimumi që Smith mund të përfitojë nën kontratë si një lojtar i ri, me Rockets që kanë besim të plotë në zhvillimin e mëtejshëm të tij, për të qenë pjesë e një projekti ambicioz. Jabari Smith Jr. është pjesë e Houston Rockets që nga 2022-shi, kur ishte zgjedhja e tretë në raundin e parë të ‘Draft’-it të atij viti. Në sezonin që lamë pas, ai ishte pjesë e një skuadre të re, që bëri shumë mirë në sezonin e rregullt, por tregoi mungesën e eksperiencës në fazën ‘playoff’. Këtë gjë, drejtuesit e Rockets mendojnë ta kenë zgjidhur me afrimin e një veterani, që ende konsiderohet si ndër më të mirët në botë në rolin e tij, siç është Kevin Durant.