NBA, Grizzlies përmbysin Timberwolves, Nikola Jokic pranë eleminimit që në raundin e parë

Sport

Memphis Grizzlies kanë bërë një përmbysje spektakolare në ndeshjen e tretë të serisë me Minnesota Timberwolves, duke triumfuar 104-95. Në takimin e parë të kësaj serie në parketin e ‘Target Center’ në Minneapolis, ishte skuadra e Timberwolves që mori ndeshjen nën kontroll, aq sa siguruar një avantazh prej plot 25 pikësh. Kjo krijoi idenë se ata të Minnesota-s do të respektonin pritshmëritë përpara tifozëve të tyre, por në fakt nuk rezultoi kështu.

Lojtarët e trajnerit Finch u shfaqën të vetëkënaqur në pjesën e dytë të takimit dhe ata të Grizzlies përfituan menjëherë. Memphis kompletoi në këtë mënyrë një përmbysje që lë një shije të hidhur tek lojtarët kundërshtarët, teksa seria udhëhiqet 2-1 nga ana e Grizzlies. Desmond Bane ishte shënuesi më i mirë në këtë takim me 26 pikë, ndërkohë që lideri i Memphis, Ja Morant, kompletoi një ‘triple-double’ me 16 pikë, 10 ribaunde e po aq asiste. Edhe ndeshja e radhës e kësaj serie të raundit të parë të fazës ‘play-off’ në ‘Konferencën e Perëndimit’ do të luhet në ‘Target Center’, ku Timberwolves do të kërkojnë të barazojnë sërish rezultatin.

Duket të jetë pranë elemiminit kandidati kryesor për t’u shpallur ‘MVP’ i këtij sezoni në NBA, Nikola Jokic, i cili nuk ia doli të udhëhiqte skuadrën e Denver Nuggets drejt fitores. Në takimin e tretë të serisë ndaj Golden State Warriors, Nuggets luanin në shtëpinë e tyre në Colorado, por pavarësisht kësaj u mposhtën 118-113. Takimi ishte mjaft i balancuar, me avantazhin që kalonte sa nga njëra skuadër, tek tjetra.

Por në 3 minutat e fundit të ndeshjes, ata të Denver u duk se ngecën sa i përket realizimit të aksioneve, duke shënuar vetëm 2 pikë në ato çaste vendimtare. Warriors përfituan dhe siguruan fitoren e tretë në po kaq ndeshje të luajtuara në këtë seri, çfarë bën që skuadrës nga San Francisco t’i mjaftojë edhe vetëm 1 fitore tjetër për të kaluar në raundin tjetër. Jokic në aspektin personal bëri një ndeshje të mirë me 37 pikë, 18 ribaunde e 5 asiste, por nuk gjeti mbështetjen e duhur nga shokët e skuadrës. Ndërkohë që te Warriors shkëlqyen Steph Curry dhe Jordan Poole, me nga 27 pikë secili, apo edhe Klay Thompson, që u ndal me 26 pikë.

Dallas Mavericks vazhdojnë të luajnë pa shërbimet e yllit të skuadrës, Luka Doncic, por kanë gjetur një Jalen Brunson në formë të jashtëzakoshme. Ekipi teksan triumfoi 126-118 në takimin e radhës ndaj Utah Jazz, me Brunson që shënoi 31 pikë, vetëm 1 më pak se sa Donovan Mitchell. Tani seria udhëhiqet nga Dallas, 2-1, me ndeshjen e radhës që do të luhet sërish në parketin e Utah Jazz.