Edhe pse luanin pa yllin kryesor të skuadrës, Ja Morant, Memphis Grizzlies kanë arritur të fitojnë ndeshjen e dytë të serisë ndaj Los Angeles Lakers, me rezultatin 103-93. Me kalifornianët që kishin fituar takimin e parë, për Grizzlies nuk kishte zgjidhje tjetër veç fitores në ‘FedEx Forum’. Lojtarët e trajnerit Taylor Jenkins morën një avantazh prej 11 pikësh që në periodën e parë dhe ia dolën të menaxhonin gjithçka në mënyrën e duhur. Tillman ishte shënuesi më i mirë Memphis me 22 pikë, ndërkohë që ishte i rëndësishëm edhe me 13 ribaunde. Shënuesi më i mirë i takimit ishte LeBron James me 28 pikë, por nuk e shmangën humbjen, me liderin e Lakers që gjatë gjithë kohës kishte ‘shkëndija’ në parket me Dilon Brooks. Tani seria është barazuar në 1-1 dhe Lakers do të kenë mundësinë të marrin më të mirën në dy takimet e radhës, që i luajnë para tifozëve të tyre.
Edhe Milwaukee ka barazuar në 1-1 serinë me Miami Heat, ndonëse njësoj si Grizzlies, luanin pa liderin e tyre të skuadrës, Giannis Antetokounmpo. 3 lojtarë të Bucks kaluan kuotën e 20 pikë, diçka që tek Miami e realizoi vetëm Jimmy Butler me 25 pikë. Po aq shënoi edhe Brook Lopez, kurse Jrue Holiday dhe Pat Connaughton u ndalën në 24 dhe 22 pikë.
Ndërsa Denver Nuggets kanë respektuar pritshmëritë e të gjithëve në Kolorado, duke fituar edhe ndeshjen e dytë në shtëpi, ndaj Minnesota Timberwolves, këtë herë me rezultatin 122-113. Edhe pse Anthony Edwards u përpoq t’i jepte një tjetër drejtim përballjes, me 41 pikë të shënuara, gjërat nuk shkuan siç duhet për Minnesota-n. Skuadra e trajnerit Finch pati sërish probleme në fazën mbrojtëse, me Jamal Murray që shënoi 40 pikë, ndërsa Nikola Jokic 27, duke qenë pranë realizimit të një ‘triple-double’-i me 9 ribuande e po aq asiste.