Golden State Warriors shkurton në 3-2 diferencën e serisë në gjysmëfinalen e Konferencës së Perëndimit, ndaj Los Angeles Lakers. Në Chase Center, përpara publikut të tyre, kampionët në fuqi triumfuan me rezultat të thellë, 121-106, në një ndeshje, të cilën e kryesuan në 3 perioda, ndërsa një tjetër u mbyll në barazim.
Nuk kishte si të ndodhte ndryshe. Edhe një herë tjetër, kalifornianët u udhëhoqën nga Stephen Curry, i cili në 39 minuta e 20 sekonda, rezultoi më produktivi i parketit, me 27 pikë të shënuara në tabelë. Madje, ai arriti të linte pas tij edhe Lebron James, i cili shënoi dy pikë më pak.
Në këtë mënyrë, Warriors i mbajnë gjallë shpresat për mbrojtjen e titullit, teksa në ndeshjen e ardhshme, do të përpiqen të barazojnë serinë në 3-3, duke e dërguar gjithçka në ndeshjen e 7-të. Misioni për skuadrën e Steve Kerr nuk do të jetë edhe aq i thjeshtë, por nuk është i pamundur. Nëse i refefohemi këtu historisë, vetëm 13 skuadra ia kanë dalë në histori që të përmbysin një rezultat 3-1. Një prej tyre ka qenë vetë Warriors në 2016-tën ndaj Oklahamas City Thunder.
Nga ana tjetër, Lakers kanë mundësi që ta mbyllin çështjen e kualifikimit që në ndeshjen e ardhshme dhe të sigurojnë biletën në finalen e Konferencës së Perëndimit. Lebron me shokë, nuk janë mundur asnjëherë në shtëpi në periudhën pas sezonit të rregullt, kështu që kjo mund të konsiderohet një pikë e fortë për Lakers në sfidën e ardhshme.