NBA, Golden State pranë titullit

Sport

Golden State Warriors është shumë pranë titullit të 7-të kampion në histori. Skuadra nga San Francisco fitoi ndeshjen e 5-të finale përballë Bostonit me rezultatin 104-94 duke marrë avantazhin 3-2 me ndeshje dhe duke qënë vetëm një fitore larg titullit.

Sfida e zhvilluar në “Chase Center” të San Franciscos pa si protagonist Andrew Wiggins. Zgjedhja e parë e draftit të vitit 2014 u shfaq sërish në një formë të jashtëzakonshme dhe e mbylli me 26 pikë duke realizuar 52.2% të tentativave të tij në një kohë që ishte edhe një herë vendimtar në tabelë me 13 “rebound”, ndërkaq një paraqitje mjaft të mirë ofroi edhe Klay Thompson i cili fiks tri vite nga dëmtimi i rëndë që pësoi në ligamentet e gjurit, realizoi 5 nga 11 tentativat e tij për tre dhe shënoi 21 pikë.

Takimi nisi më mire për Warriors që u shfaqën të saktë në dy segmentet e parë të lojës, aq sa shkuan në pushimin mes dy pjesëve me avantazhin e 12 pikëve, 51-39. Në periodën e tretë Celtics u zgjuan dhe jo vetëm që e anuluan dizavantazhin , por falë pikëve të Tatum e Brown morrën edhe epërsinë, gjithsesi perioda e fundit nisi me avantazhin e Warriors, por një epërsi minimale prej vetëm një pike, 75-74. Në fraksionin e fundit Wiggins ishte i papërmbajtshëm duke realizuar 10 pikë vetëm në periodën finale, diferenca shkoi në +15 dhe “game over” për Bostonin. Përvec Wiggins e Thompson, në formë të mirë u shfaqën edhe Jordan Poole që shënoi një kosh nga një distancë e largët në fund të periodes së tretë, Gary Payton dhe Curry që e mbylli me 16 pikë e 8 asiste.

Finalet tashmë spostohen në “TD Garden” të Massachusetts , nëse fiton Golden State do të jetë titulli i 4-të në 7 sezonet e fundit, nëse fitojnë Celtic atëherë gjithcka do të vendosej në “Chase Center” më 19 qershor.