Golden State Warriors duket se po shkojnë drejt titullit të tyre të gjashtë në histori. Kampionët në fuqi të NBA fituan edhe finalen e dytë përballë Cleveland Cavaliers, kësaj radhe me rezultatin 122-103. Steph Curry ishte shënuesi më i mirë i takimit me 33 pikë, 8 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë, ndërsa paraqitje të mirë bëri edhe Kevin Durant që u ndal në 26 pikë, 7 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë.
Tek Cleveland, LeBron James dhuroi një tjetër performancë të shkëlqyer, por që kësaj radhe nuk kishte mbështetjen e shokëve të skuadrës për të bërë diçka më mirë. “Mbreti” i Cavaliers realizoi 29 pikë, 13 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë, duke qenë sërish pranë arritjes së një “triple-double”. Kështu seria e finaleve të mëdha tashmë shënon 2-0 në favor të Warriors, dhe LeBron James e Cavaliers duhet të japin maksimumin në dy ndeshjet e radhës, që luhen në shtëpinë e tyre në “Quickens Loans Arena”, për të barazuar shifrat e për të rihapur edhe njëherë luftën për titullin kampion.