NBA, Golden State fiton në sekondat e fundit

Sport

Golden State Warriors kanë ngushtuar në 3-2 rezultatin e serisë së finales ndaj Toronto Raptors, teksa triumfuan në shtëpinë e kanadezëve me rezultatin e ngushtë 106-105. Ndeshja e pestë e finales së madhe të NBA do të niste në mënyrën më të mirë për kampionët në fuqi, që i gëzoheshin edhe rikthimit në parket të Kevin Durant. Por ylli i Golden State nuk qëndroi më shumë se 12 minuta në lojë, pasi filloi të kishte sërish dhimbje të forta nga dëmtimi në këmbë, që duket se ende nuk e ka kaluar si duhet. Warriors do të fitonin periodën e parë të lojës dhe do ta ruanin avantazhin prej 6 pikësh edhe në 2 periodat pasardhëse. Ndërsa në atë të fundit gjërat ishin vërtet emocionuese, teksa Toronto arriti për herë të parë në ndeshje të kalonte në avantazh. Megjithatë, çelësi i suksesit të Golden State ishin goditjet për 3 pikë. Të udhëhequr në këtë aspekt nga Klay Thompson dhe Steph Curry, Warriors realizuan në total 20 goditje të sakta për 3 pikë, rekord ky në historinë e NBA në një finale të madhe. Curry e mbylli ndeshjen me 31 pikë, 7 asiste dhe 8 rikuperime të topit nën tabelë, ndërsa Thompson realizoi në total 26 pikë. Tek Toronto më i miri ishte sërish Kawhi Leonard, me 26 pikë, 6 asiste dhe 12 rikuperime të topit nën tabelë. Lideri i Raptors pati shansin t’i jepte fitoren skuadrës së tij në çastet e fundit, por u bllokua nga dy lojtarë, duke u detyruar të pasojë tek shokët e skuadrës. Tentativa e Kyle Lowry nuk ishte e saktë dhe Golden State mori kështu një fitore të rëndësishme, që mban hapur luftën për titullin kampion.