NBA, Golden State fiton ndaj Houston; E njëjta finale për të katërtin vit radhazi

Sport

mbass

Golden State Warriors janë kualifikuar për në finalen e madhe të NBA për të katërtin vit radhazi. Kampionët në fuqi mposhtën në ndeshjen e fundit të serisë skuadrën e Houston Rockets me rezultatin 92-101, falë performancave të shkëlqyera të Kevin Durant dhe Stephen Curry.
Deri në fundin e dy periodave të para, vendasit e Houston ishin në avantazh 54-43, por në periodën e tretë, Warriors ia dolën të përmbysnin gjithçka. Durant e mbylli takimin me 34 pikë, 5 asiste dhe 5 zotërime të topit nën tabelë, kurse Curry u ndal në 27 pikë, 10 asiste dhe 9 zotërime të topit nën tabelë, nderkohë që ishte vendimtar me 7 goditje të sakta për 3 pikë. Një nga performancat më të mira të yllit të Golden State, që ishte mjaft pranë realizimit të një “triple-double”.
Tek Houston, James Harden ishte më i miri me 32 pikë, 6 asiste dhe po aq zotërime të topit nën tabelë, ndërkohë që tek skuadra teksane ndjehej shumë mungesa e të dëmtuarit Chris Paul.
Kështu për të katërtin vit radhazi, finalja e madhe e NBA vë përballë Cleveland Cavaliers dhe Golden State Warriors, që pritet të dhurojnë sërish spektakël për fansat e basketbollit amerikan.