Milwaukee Bucks po shijojnë një Giannis në formë të jashtëzakonshme në këtë fillim të sezonit të rregullt. Ylli grek ka udhëhequr sërish skuadrën në një përballje shumë të fortë ndaj New York Knicks, ku ia dolën të triufmonin me përmbysje, përpara tifozëve të tyre në Wisconsin. Edhe pse në periodën e parë nuk e nisi siç duhej, Giannis ia doli të merrte nën kontroll gjërat për skuadrën e tij, duke e mbyllur me 37 pikë të shënuar, 8 ribaunde dhe 7 asiste. Ndeshje të mirë bëri edhe Rollins, me 25 pikë, ndërkohë që tek Knicks, ai që shkëlqeu ishte si gjithmonë Jalen Brunson. Organizatori i Knicks e mbylli me 36 pikë të shënuara, ndërkohë që Mikal Bridgers kompletoi një ‘double-double’, me 24 pikë e 11 ribaunde. Për skuadrën njujorkeze, kjo ishte humbja e dytë radhazi, ndërkohë që tek Milwaukee për momentin numërojnë vetëm 1 humbje.
Një ndeshje me shije ‘playoffs’-i ishte ajo mes Los Angeles Clippers dhe Golden State Warriors, që pa fituesë këta të fundit, me rezultatin 98-79. Takimi i pa skuadrat të shfaqeshin mjaft agresive në fazën mbrojtëse, me Warriors që iu falën paraqitjeve të Jimmy Butler dhe Stephen Curry, që së bashku realizuan në total 40 pikë. Nga ana tjetër, James Harden realizoi 20 pikë, ndërsa Kawhi Leonard 18, por paraqitja e yjeve kryesorë të skuadrës nga Los Angeles nuk mjaftoi për të shmangur humbjen.
Kampionët në fuqi të Oklahoma vijojnë serinë e fitoreve. Thunder siguruan triumfin e pestë radhazi, duke mposhtur 107-101 Sacramento Kings. Philadelphia 76ers kaluan pas kohës shtesë, 139-134 Washington Wizards, kurse Miami Heat, triumfoi me rezultatin e thellë 144-117 ndaj Charlotte Hornets, ku 3 lojtarë të Miami-t, kaluan shifrën e 20 pikëve.