Frank Vogel do të jetë trajneri i ri i Phoenix Suns. 49-vjeçari u prezantua zyrtarisht si njeriu që do të marrë vendin e lënë bosh nga Monty Williams, me këtë të fundit që u shkarkuar pak kohë më parë, si një ndryshim i nevojshëm për skuadrën sipas pronarit të klubit, Mat Ishbia dhe drejtorit të përgjithshëm, James Jones. Pas një viti pushim, Vogel rikthehet të drejtojë një skuadër pretendente për titullin kampion. Ai ishte trajneri i Los Angeles Lakers nga 2019-a deri në 2022-shin, teksa në vitin e tij të parë tek kalifornianët, ia doli të fitonte titullin kampion, duke u mbështetur tek dyshja LeBron James e Anthony Davis. Tashmë Vogel duhet të bëjë të njëjtën gjë tek Suns, ku gjen dy emra të tjerë të rëndësishëm të NBA, si Devin Booker e Kevin Durant. Në prezantimin e tij, Vogel u shfaq mjaft entuziast për detyrën e re dhe nuk nguroi të vendoste menjëherë objektivat. Tekniku jo vetëm që pranoi se do të luftojë për të fituar titullin kampion, por kërkon që bashkë me skuadrën, të dominojnë gjatë gjithë sezonit të ardhshëm në NBA, pasi ai mendon se ekipi ka në organikë elementët e duhur për ta bërë realitet një gjë të tilë. Karriera e Frank Vogel si trajner ka nisur që në vitin 2001, ku punonte si asistent tek skuadra si Boston Celtics, Philadelphia 76ers apo Indiana Pacers. Këta të fundit do t’i jepnin mundësinë e parë si trajner në 2011-ën, për të kaluar vite më vonë tek Orlando Magic e më pas Los Angeles Lakers. Tek skuadra e Suns nuk pritet të ketë ndryshime rrënjësore gjatë merkatos së verës. Dyshimet e vetme janë qëndrimi ose jo i veteranit Chris Paul dhe nëse do të ketë një shkëmbim të Deandre Ayton, që herë pas herë ka shfaqur shenja largimi.