NBA, Embiid thotë se Sixers luftojnë për titullin, me apo pa Ben Simmons

Sport

Nëse Ben Simmons do të qëndrojë e do të rikthehet të luajë me Philadelphia 76ers, Joel Embiid do ta presë krahëhapur. Lideri i Sixers është duke kaluar një moment shumë të mirë në karrierën e tij, teksa e ka lënë pas nisjen e keqe të sezonit, për të udhëhequr ekipin drejt zonës ‘play-off’ në ‘Konferencën e Lindjes’. Sixers u mposhtën nga Phoenix Suns 114-109, në një takim që pa më të mirën nga të dyja ekipet. Por ato që tërhoqën shumë vëmendje, ishin fjalët e Embiid pas takimit, ku foli edhe për objektivat e Sixers. Embiid është i bindur se Philadelphia i ka të gjitha mundësitë për të luftuar deri në fund për titullin kampion, edhe pse ky mbetet një mision i vështirë, duke parë konkurencën e fortë në të dyja konferencat. Gjigandi kamerunas foli edhe për çështjen e Ben Simmons, i cili edhe pse cilësohet si një lojtar i Sixers, është i përjashtuar nga skuadra pas problemeve në merkaton e verës. Embiid thotë se Simmons është një lojtar me cilësi të mëdha dhe që pavarësisht situatës së krijuar, ai dhe pjesa tjetër e ekipit do ta prisnin të lumtur një rikthim të tij, për të vijuar së bashku betejën drejt ‘Finaleve’. Gjithësesi, Embiid refuzon të ndërhyjë në çështjet e merkatos së drejtuesve të Sixers, duke i garantuar tifozët dhe të gjithë rivalët, se me Ben Simmons apo jo si pjesë të grupit, skuadra e trajnerit Doc Rivers do të tentojë të arrijë tek titulli kampion në NBA në fundin e këtij sezoni. Embiid regjistron gjatë këtij sezoni një mesatare prej 29,4 pikësh, 11 ribaundesh dhe 4,3 asistesh për ndeshje, duke u futur edhe në diskutimin për t’u shpallur si ‘MVP’ i sezonit të rregullt për 2021/2022-shin.