NBA, Durant debuton me fitore për Suns; Grizzlies e Bucks nuk ndalen

Sport

Kevin Durant ka debutuar më në fund me fanellën e Phoenix Suns, në një ndeshje të dominuar nga skuadra nga Kolorado. Suns triumfuan 105-91 ndaj Charlotte Hornets, duke bërë që debutimi i Durant të shkonte ashtu siç duhej. ‘KD’ka lënë pas dëmtimin që e mbajti larg parketit prej disa javësh, duke shënuar 23 pikë, në 26 minuta të luajtura prej tij. Shënuesi më i mirë i takimit ishte Devin Booker, i cili bëri diferencën me 37 pikë, 6 ribaunde e 7 asiste. Ndërkohë që ndeshje të mirë bëri edhe Deandre Ayton, me 16 pikë e po aq ribaunde.
Vazhdojnë seritë e fitoreve skuadra si Memphis Grizzlies e Milëaukee Bucks. Grizzlies mposhtën pa shumë telashe skuadrën e Houston Rockets, me rezultatin 113-99. Ja Morant u ndal në 20 pikë, 7 ribaunde e 7 asiste, teksa skenën si shënuesi më i mirë e mori Desmond Bane me 30 pikë. Ndërsa Milwaukee Bucks triumfuan 139-117 ndaj Orlando Magic. Giannis Antetokounmpo ishte sërish ylli i mbrëmjes, duke dominuar parketin e ‘Fiserv Forum’ me 31 pikë, 7 ribaunde e 6 asiste. Kjo ishte fitorja e 45-të për Bucks, që vijojnë të kenë kreun e renditjes së ‘Konferencës së Lindjes’, me një ndeshje më pak se sa Boston Celtics. Skuadra nga Masaçusets po ashtu bëri detyrën, edhe pse përballej me një kundërshtar shumë të fortë si Cleveland Cavaliers. Celtics triumfuan përpara tifozëve të tyre me rezultatin e ngushtë 117-113, në një ndeshje ku Jayson Tatum dhe Donovan Mitchell dhuruan spektakël. Lideri i Boston shënoi plot 41 pikë, e po ashtu dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 11 ribaunde e 8 assite, ndërkohë që Mitchell ishte shënuesi më i mirë i sfidës me plot 44 pikë. Kjo ishte ndeshja e tij e shtatë e sezonit, ku kalon kuotën e 40 pikëve, por që gjithësesi nuk e shmangu humbjen e Cavaliers.
Fitore të rëndësishme morën ata të Los Angeles Lakers, që edhe pse luanin pa emra si LeBron James, Anthony Davis e D’Angelo Russel, mposhtën 123-117 Oklahoma City Thunder. Philadelphia 76ers morën revanshin e tyre ndaj Miami Heat, duke triumfuar në transfertë 119-96, kurse Chicago Bulls mori një fitore të vuajtur ndaj Detroit Pistons, 117-115, falë një Zach LaVine në formë të mirë, me 41 pikë të shënuara.