E ardhmja e Draymond Green mund të jetë larg Golden State Warriors. Green e ka hedhur poshtë mundësinë e parashikuar në kontratën e tij me skuadrën nga San Francisco për një rinovim automatik të kontratës, nga ku ai supozohej të fitonte 27,6 milionë dollarë. Siç edhe përfaqësuesit e tij janë shprehur për mediat, Green nuk e ka hedhur poshtë mundësinë për të vijuar si lojtar i Warriors, por për momentin kërkonë të shqyrtojë edhe mundësitë e tjera që do t’i paraqiten. Agjentët e tij do të vazhdojnë bisedimet me drejtuesit e Warriors për një kontratë të re, ndërkohë që priten edhe ofertat nga disa skuadra që më herët kanë shfaqur interes për shërbimet e 33-vjeçarit. Green ka qenë një element i rëndësishëm për Warriors në më shumë se një dekadë, duke qenë pjesë e një dinastie që ka dominuar në NBA. Green ishte zgjedhja e 35-të në raundin e dytë të ‘Draft’-it në 2012-ën, duke bërë që e gjithë karriera e tij si lojtar deri më tani të jetë e përqëndruar vetëm tek Warriors. Drejtuesit e skuadrës nga San Francisco janë shprehur se ata dëshirojnë që Green të vijojë të jetë në dispozicion të trajnerit Steve Kerr dhe për këtë, po përpiqen të gjejnë ‘gjuhën e përbashkët’ me lojtarin për një kontratë të re. Burimë pranë familjes së Green bëjnë me dije se vetë 33-vjeçari kërkon të provojë një aventurë të re, teksa nuk mungojnë skuadrat që interesohen për të. Ndërkohë një nga arsyet pse Green thuhet se e mendon largimin është edhe krisja e marrëdhënieve mes tij dhe drejtuesve të Warriors, pas episodit të shëmtuar në fillimin e sezonit që lamë pas. Green u përfshi në një konflikt fizik me shokun e skuadrës Jordan Poole, duke humbur shumë mbështetje si në parket, edhe jashtë arenave të NBA.