Të gjithë prisnin që Donovan Mitchell të ishte ylli i ri i New York Knicks, por gjërat nuk shkuan ashtu siç tifozët e ‘Madison Square Garden’ kishin shpresuar. Mitchell do të jetë nga sezoni i ri i NBA pjesë e Cleveland Cavaliers, ku synojnë të arrijnë gjërat të mëdha përgjatë 2022/2023-shit. Në intervistën e parë si pjesë e skuadrës nga Ohio, Mitchell u pyet edhe rreth situatës tek Utah Jazz në muajt e fundit, pas deklaratave të drejtorit Ainge se lojtarët kishin humbur besimin tek njëri-tjetri. Mitchell kundërshtoi fjalët e Ainge, duke u shprehur se lojtarët gëzonin një marrëdhënie shumë të mirë me njëri-tjetrin dhe se synimi ishte të zgjidhnin së bashku problemet e hasura në parket, që kishte bllokuar edhe ecurinë e tyre në fazën ‘play-offs’. Madje 26-vjeçari zbuloi se përpara fundit të sezonit të NBA, vetë Mitchell i kishte kërkuar drejtorit Ainge që të mos e largonte nga skuadra Rudy Gobert, që ishte një nga shtyllat e skuadës së Jazz. Por francezi ishte i pari që u largua në merkato, pasi u shkëmbye për disa lojtarë dhe një seri zgjedhjesh në ‘Draft’ tek Minnesota Timberwolves. Mitchell u shpreh se Ainge nxitoi me vendimin e tij, pasi nuk mund të gjykonte projektin e ndërtuar prej vitesh me vetëm 6 muaj në krye të ekipit. Ainge erdhi si drejtor i përgjithshëm tek Utah Jazz vetëm në fundin e muajit dhjetor dhe pas përfundimit të sezonit, vendosi të niste një projekt të ri, për rindërtimin e skuadrës.
Tani, Donovan Mitchell është i përqëndruar tek aventura me Cleveland Cavaliers, ndonëse nuk e fshehu dëshirën për t’u bashkuar me skuadrën e qytetit të tij, New York Knicks. 26-vjeçari tha se ishte shumë pranë kalimit tek Knicks, por diçka ngeci në momentet e fundit dhe Cavaliers këmbëngulën për të marrë shërbimet e tij. Duke u bashkuar me emra të talentuar si Darius Garland, Evan Mobley e Jarrett Allen, Mitchell beson se kanë të gjitha mundësitë për të bërë gjëra të mëdha në sezonin e ri, me Cavaliers që synojnë të jenë sërish pjesë e fazës finale.