Luka Doncic është duke përjetur një sezon mjaft të mirë, ndoshta më të mirin në aspektin personal që kur u bë pjesë e NBA. Ylli i Dallas Mavericks regjistron një mesatare prej më shumë se 33 pikësh, 9 ribaundesh e 8 asistesh për ndeshje. Skuadra teksane gjithësesi renditet për momentin vetëm në vendin e 10 të ‘Konferencës së Perëndimit’, me 9 fitore e 8 humbje. Disfata e 8 në këtë sezon erdhi nga Boston Celtics, që më 24 nëntor triumfuan 125-112. Doncic shënoi 42 pikë në atë takim, por pa ia dalë të ndryshojë fatin e sfidës, duke iu dorëzuar asaj që slloveni e cilësoi si dyshja më e mirë në NBA. Jayson Tatum dhe Jaylen Brown shënuan respektivisht 37 e 31 pikë, duke vijuar me paraqitjet mjaft të mira në këtë sezon. Sipas Doncic, kjo dyshe është e aftë të bëjë gjërat të mëdha përballë çdo lloj kundërshtari, diçka që ai e lidh edhe me aftësinë e yjeve kryesorë të Celtics për të ndryshuar sistemin e tyre të lojës. Slloveni këmbënguli që njerëzit nuk duhet t’i krahasojnë të veçuar nga njëri-tjetri, por të shohin statistikat e tyre si një dyshe, që për momentin nuk mund të krahasohen me asnjë tjetër në ligë. Për më tepër, Doncic shtoi se Tatum e Brown do të jenë edhe më të rrezikshëm në momentin kur tek Celtics do të rikthehet nga dëmtimi Robert Williams III. Me një qendër si 25-vjeçari, Tatum e Brown do ta kenë më të thjeshtë për të gjetur rrugën drejt koshit, duke bërë që Celtics të mbeten pretendentë kryesorë edhe në këtë sezon. Sa i përket Dallas Mavericks, Doncic thotë se ka ende shumë gjërat që ata duhet t’i përmirësojnë, teksa nuk e mohoi që herë pas herë ndjen lodhjen nga kalendari i ngjeshur.