NBA, Doncic shkëlqen, por Dallas mposhtet nga Phoenix; Miami përfiton nga mungesa e Embiid

Sport

Phoenix Suns e kanë nisur me këmbën e mbarë serinë ndaj Dallas Mavericks, të vlefshme për gjysmëfinalet e ‘Konferencës së Perëndimit’, duke triumfuar 121-114 në takimin e parë. Në sfidën e luajtur në ‘Footprint Center’ në Arizona, Suns morën nën kontroll sfidën, duke siguruar një avantazh prej 10 pikësh që në periodën e parë. Por tek Dallas nuk u dorëzuan. Të udhëhequr nga Luka Doncic, teksanët u përpoqën ta komplikonin situatën për finalistët e sezonit të shkuar.

Në aspektin personal, Doncic bëri një ndeshje të madhe, me 45 pikë, 12 ribaunde e 8 asiste. Në fazën ‘PlayOffs’, në këto shifra kanë qenë vetëm dy lojtarë, LeBron James në 2009-ën dhe Kevin Durant në sezonin e shkuar. Doncic u bë lojtari më i ri që regjistron mbi 40 pikë e mbi 10 ribaunde në fazën finale të NBA, por që gjithësesi nuk e ndihmuan skuadrën e Mavericks të befasonin Suns në takimin e parë. Phoenix u mbështet tek DeAndre Ayton me 25 pikë dhe Devin Booker, që e mbylli me 23 pikë, 9 ribaunde e 8 asiste. Kështu, Suns marrin avantazhin e serisë ndaj Mavericks, teksa edhe ndeshja e dytë do të luhet në ‘Footprint Center’, në Arizona.

Edhe në ‘Konferencën e Lindjes’, vendi i parë i sezonit të rregullt e ka nisur në mënyrën e duhur fazën gjysmëfinale. Miami Heat triumfuan 106-92 ndaj Philadelphia 76ers, që siç ishte paralajmëruar, vinin në takim e parë të serisë pa shërbimet e Joel Embiid. Miami e nisi mirë sfidën, duke siguruar një avantazh prej 8 pikësh.

Sixers u përgjigjën menjëherë në periodën e dytë, duke përmbysur rezultatin. Por kjo nuk zgjati shumë. Me nisjen e pjesës së dytë të takimit, trajneri i Miami-t, Erik Spoelstra mori më të mirën nga lojtarët e tij, çfarë vulosi edhe fitoren. Tyler Herro shënoi 25 pikë, kurse Bam Adebayo 24, por ishte i rëndësishëm edhe me 12 ribaunde. Tek Sixers, sytë ishin kthyer nga James Harden, por ‘the Beard’ dështoi të jepte më të mirën e tij, duke u ndalur në 16 pikë e 9 ribaunde. Tobias Harris ishte shënuesi më i mirë për ekipin e trajnerit Doc Rivers me 27 pikë, po që vlejnë vetëm për statistikat personale të 29-vjeçarit.