NBA, Doncic nuk mjafton për të mposhtur Pistons; Dallas mundet në shtesë

Sport

Ka rezultuar të jetë një provë më e fortë se sa ishe menduar ajo në Detroit për skuadrën e Dallas Mavericks. Teksanët nuk ia dolën të triumfonin në një transfertë që konsiderohej e lehtë në letër, me Pistons që lanë pas një seri prej 3 humbjesh radhazi. Për të përcaktuar fituesin e kësaj përballjeje u desh të luhej në kohën shtesë, me vendasit e Detroitit që triumfuan me rezultatin final 131-125. Loja ishte mjaft e balancuar gjatë gjithë kohës së rregullt. Pas një periode të parë të mbyllur në barazpeshë 36-36, Pistons morën avantazhin me vetëm 1 pikë në 12 minutat pasaradhëse. Ky avantazh do të thellohej në 10 pikë deri në fundin e periodës së tretë, por ata të Mavericks nuk hoqën dorë dhe arritën të barazonin githçka. Pistons patën shansin të mbyllnin çdo gjë brenda kohës së rregullt, por tentativa nga përtej harkut e Stewart rezultoi e pasaktë. Në kohën shtesë, ai që i dha kontrollin skuadrës së Pistons ishte Killian Hayes, që rezultoi mjaft deçiziv me gjuajtjet e tij. Luka Doncic u përpoq të jepte më të mirën e tij, duke shënuar 35 pikë, 21 prej të cilave erdhën me gjuajtjet nga përtej harkut. Slloveni ishte i rëndësishëm edhe me 5 ribaunde e 10 asiste, ndërkohë që për Pistons shkëlqeu kroati Bogdanovic, me 30 pikë të shënuara. Për Mavericks, kjo ishte humbja e 11 e këtij sezoni dhe e katërta në 5 takimet e fundit. Tani, teksanët e shohin veten jashtë zonës ‘play-off’, kurse Pistons vijojnë të mbetet në fundin e tabelës në ‘Konferencës e Lindjes’, ku pas vetes kanë lënë vetëm skuadrën e Orlando Magic.