Për herë të parë pas shumë kohësh, 30 skuadrat e NBA ishin në parket në të njëjtën mbrëmje, duke dhuruar spektakël në përballjet e shumta. Një nga ato sfida që gjithmonë i respektojnë pritshmëritë, është edhe ajo mes Luka Doncic e Kevin Durant. Këtë herë në Teksas, Dallas Mavericks ia dolën të triumfonin sërish ndaj njujorkezëve, duke iu falur një tjetër paraqitjeje të madhe të ylli të tyre. Doncic shënoi 36 pikë, 6 ribaunde e po aq asiste, për t’i dhënë Dallasit fitoren me rezultatin e ngushtë 96-94. Në fund të takimit, Kevin Durant pati shansin të barazonte me gjuajtjet e lira, por gaboi, teksa vendasit rezistuan edhe në luftën për ribaundin e fundit, për të siguruar triumfin.
Fitore në limite edhe për Boston Celtics, që kaluan 109-106 Memphis Grizzlies. Përballja mes Tatum e Morant bëri që loja të ishte mjaft intensive. Ylli kryesor i Cetlics shënoi plot 39 pikë, ndërsa Ja Morant u ndal në 30 pikë, 8 ribaunde e 9 asiste. Lideri i Grizzlies pati shansin të barazonte gjithçka në sekondat e fundit, por në momentin vendimtar humbi ekuilibrin, duke mos gjuajtur dot ashtu siç duhej.
Ndërkohë me rikthimin në shtëpi, Golden State Warriors kanë lënë pas serinë e humbjeve, teksa mposhtën mes vështirësive, 116-113 Sacramento Kings. Steph Curry zhvilloi ndeshjen më të mirë të sezonit, me 47 pikë, 8 ribaunde e po aq asiste, çfarë rezultuan vendimtare për ekipin e trajnerit Steve Kerr.
Në Kaliforni, Clippers triumfuan 119-117 ndaj Cleveland Cavaliers. Paul George bëri një ndeshje të madhe, duke e kthyer në një sfidë personale përballjen me Donovan Mitchell. Të dy gabuan në gjuajtjet e lira, që mund të vulosnin fatin e takimit, si pasojë edhe e presionit të lartë, por një gjuajtje e vështirë për 2 pikë e PG13 më herët, i dha avantazhin skuadrës kaliforniane. George shënoi 26 pikë, ndërsa Mitchell i Cavaliers 30, por që vlejnë tashmë vetëm për statistikat e tij.
Edhe pse luanin pa Trae Young, Atlanta Haëks ia dolën t’i shkaktonin humbjen e parë Milëaukee Bucks, pasi i mundën 117-98. Dejounte Murray shënoi 25 pikë, aq sa edhe Giannis Antetokounmpo, por në ndryshim nga ylli i Bucks, dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 8 ribaunde e 11 asiste.
Triumf i sekondave të fundit për Portland Trail Blazers, 110-107 ndaj Miami Heat. Edhe pse zakonisht situata të tilla zgjidhen nga Damien Lillard, këtë herë ylli kryesor i Blazers shërbeu asistin vendimtar për Josh Hart, i cili ishte i saktë me tentativën e tij nga përtej harkut, duke i shkaktuar humbjen e dytë Miami në përballjet direkt të këtij sezoni.