Luka Doncic dhe LeBron James kanë dhuruar spektakël edhe në përballjen e radhës mes tyre, me sllovenin që doli sërish triumfues. Këtë herë në Los Angeles ishte e nevojshme të luheshin dy kohë shtesë për të përcaktuar fituesin, me Mavericks që morën më të mirën nga lideri i tyre. Në takimin e përcjellur nga platforma ‘Tring’, Dallas ishte skuadra që dominoi në pjesën më të madhe të kohës. Lakers-at arritën të reagonin në periodën e katërt, ku në sekondat e fundit, shijuan për herë të parë avantazhin. Dy gjuajtje të lira të sakta nga Russell Westbrook u duk se do i jepnin fitoren vendasve, por ishte një magji e radhës e Doncic për 3 pikë, ajo që çoi sfidën në shtesë. Doncic do të gjente edhe mbështetjen e Christian Wood e Spencer Dinwiddie, duke siguruar një fitore shumë të rëndësishme për ecurinë e tyre. Luka e mbylli me një tjetër ‘triple-double’, me 35 pikë, 14 ribaunde e 13 asiste. James u ndal në 24 pikë, 16 ribaunde e 9 asiste, ndërsa shënuesi më i mirë për Lakers ishte Westbrook me 28 pikë.
Takim me peshë ishte dueli mes dy skuadrave të vendeve të para në ‘Konferencën e Lindjes’, me Celtics që ia dolën të dilnin triumfues 109-98 ndaj Brooklyn Nets. Këta të fundit luanin pa Kevin Durant, i cili është i dëmtuar dhe do të mungojë përgjatë gjithë janarit. Kështu loja e njujorkezëve u përqëndrua tek Kyrie Irving, i cili shënoi 24 pikë. Për Celtics, më i miri ishte si gjithnjë Jayson Tatum me 20 pikë e 11 ribaunde, duke bërë liderin në një ndeshje shumë të rëndësishme për kreun e klasifikimit.
Miami Heat ia doli të mposhtte 108-102 Milwaukee Bucks, që luanin pa shërbimet e Giannis Antetokounmpo. Gabe Vincent ishte shënuesi më i mirë i përballjes me 28 pikë, ndërkohë që 3 lojtarë të Miami, Bam Adebayo, Jimmy Butler dhe Max Strus, ia dolën të kompletonin ‘double-double’.
Surprizë mund të konsisderohet humbja e Philadelphia 76ers, 114-133 nga Oklahoma City Thunder, me një super Gilgeous-Alexander që shpërtheu me 37 pikë, 8 ribaunde e 6 asiste. Tek Sixers shkëlqyen si gjithnjë Embiid me 30 pikë e 10 ribaunde dhe James Harden me 24 pikë e 15 asiste, por që nuk shmangën këtë humbje për ekipin e trajnerit Doc Rivers.
Nuk mjaftojnë as 50 pikët e shënuara nga Damian Lillard që Portland të lërë pas serinë e rezultateve negative. Trail Blazers u mposhtën 119-113 nga Cleveland Cavaliers, që vazhdojnë rrugëtimin e tyre në kërkim të fazës ‘play-off’.