NBA, Doncic dhuron spektakël dhe mposht Warriors; Clippers triumfojnë ndaj Portland

Sport

Luka Doncic është vetëm lojtari i gjashtë në historinë e NBA, që ka regjistruar të paktën 4 herë ose më shumë, një ‘triple-double’ me mbi 40 pikë të shënuara. Slloveni vazhdon të shkruajë emrin e tij në librin e artë të NBA, pasi udhëhoqi Dallas Mavericks në një triumf të vuajtur 116-113 ndaj Golden State Warriors. Doncic e mbylli takimin me 41 pikë, 12 ribaunde e po aq asiste. Mbrëmje e mirë edhe për Tim Hardaëay me 22 pikë, me teksanët që morën kontrollin në periodën e parë, kur siguruan një avantazh prej 12 pikësh. Kampionët e Golden State u përgjigjën në mënyrën e duhur në periodën e dytë, duke rihapur ndeshjen, por me Doncic më pas do të jepte më të mirën e tij. Këtë herë, ai fitoi duelin personal me Steph Curry, i cili u ndal në realizimin e 32 pikëve, teksa shënoi vetëm 5 nga 14 tentativa për 3 pikë.

Los Angeles Clippers kanë marrë një fitore të rëndësishme 118-112 ndaj Portland Trail Blazers, pavarësisht se luanin pa Kawhi Leonard, Paul George apo John Wall. Norman Poëell ishte ai që udhëhoqi kalifornianët në këtë takim, me 32 pikë të shënuara, 22 prej të cilave vetëm në periodën e katërt. Tek Portland dalluan Jerami Grant me 32 pikë dhe Anfernee Simons, i cili shënoi 37 pikë, teksa ishte i saktë në 9 gjuajtje nga përtej harkut. Gjithësesi, Portland nuk e shmangu dot humbjen e katërt në 5 ndeshjet e fundit, çfarë i mban për momentin në vendin e shtatë të ‘Konferencës së Perëndimit’, ndërkohë që Clippers janë ngjitur në vendin e 5.

Fitore të thjeshtë morën tek New York Knicks, që shkatërruan 140-110 Detroit Pistons. Njujorkezët arritën një avantazh prej 8 pikësh brenda periodës së parë dhe nga ai moment, gjërat për ekipin e trajnerit Thibodeau u bënë shumë të lehta. Julius Randle bëri liderin me 36 pikë të shënuara, teksa RJ Barrett, Jalen Brunson dhe Quentin Grimes shënuan secili nga 16 pikë.