Real Madrid në finalen e Kievit këtë vit fitoi trofeun e tretë radhazi në Champions League duke shfaqur dominim të plotë në futbollin evropian. Mirëpo një dominim të ngjashëm duket se e kanë edhe NBA. Cleveland Cavaliers dhe Golden State Warriors do të përballen me njëra-tjetrën në finalen e madhe të basketbollit amerikan për të katërtin vit radhazi, duke thyer çdo rekord dhe duke shkruar historinë e këtij sporti përtej Atlantikut. Më parë përgjatë historisë, përplasjet mes Boston Cetlics dhe Los Angeles Lakers apo Boston dhe St. Louis Hawks nuk kanë shkuar më shumë se 2 apo 3 finale radhazi. Në 2015-n, Warriors, të cilët që prej atij viti vazhdojnë të drejtohen nga trajneri Steve Kerr, mposhtën Cleveland për të siguruar titullin e tyre të 4-t në histori.
Një vit më pas, Cavaliers kishin zëvendësuar trajnerin David Blatt me ish-basketbollistin Tyronn Lue, i cili vazhdon të jetë trajner i LeBron James me shokë. 2016-a shënoi titullin e parë në historinë e Cleveland, që iu fal magjisë së “Mbretit” James. Golden State do të rimerrte titullin vitin tjetër, kur treshja Stephen Curry-Kevin Durant-Klay Thompson do të shkatërronin me rezultatin e serisë 4-1 kampionët në fuqi të Cavaliers. Dy skuadrat takohen sërish bashkë dhe me James që me shumë gjasa në fund të sezonit do të largohet nga skuadra e fëmijërisë, Cavaliers shpresojnë që ylli i tyre t’u bëjë një dhuratë të fundit. Nga ana tjetër, një konfirmim i Golden State si kampion, do të përkthehej në titullin e tretë brenda 4 viteve për Steph Curryn dhe Kevin Durant, që po kthehen në legjenda të basketbollit amerikan.