NBA do të tërheqë fanellën me numrin 6 të Bill Russell tek të gjitha skuadrat

Sport

Bota e basketbollit u trondit pak kohë më parë nga lajmi i ndarjes nga jeta të një prej emrave më të mëdhenj të historisë së NBA dhe të këtij sporti në veçanti, Bill Russell. Në nderim të legjendës së Boston Celtics, liga amerikane e basketbollit ka vendosur që të tërheqë fanellën historike të Russel me numrin 6 dhe kjo do të bëhet tek të gjitha skuadrat që janë pjesë e NBA. Lajmi është konfirmuar nga vete komisioneri Adam Silver, pas një diskutimi të gjatë me komisionin drejtues të ligës. Kështu, Russell do të jetë i pari lojtar i NBA që do të ketë fanellën me numrin e tij të tërhequr tek të gjitha skuadrat. Po ashtu është marrë vendimi se përgjatë sezonit të ardhshëm, të gjithë lojtarët të mbajnë një logo të veçantë, dedikuar pikërisht njeriut që shkruajti historinë e këtij sporti në radhët e Boston Celtics. Edhe pse fanella me numrin 6 do të tërhiqet nga NBA, komisioneri Adam Silver lajmëroi që edhe për sezonin e ardhshëm, lojtarët do të kenë mundësinë ta mbajnë fanellën me numrin 6, si për të mos gjetur të papërgatitura edhe skuadrat sa i përket marketingut. Kujtojmë që në NBA janë rreth 25 lojtarë që mbajnë fanellën me numrin 6, mes të cilëve LeBron James i Los Angeles Lakers, Kristaps Porzingis, Alex Caruso, Montrezl Harrell apo Lou Williams.

Bill Russell është lojtari që ka fituar më shumë tituj kampion në historinë e NBA, 11 të tillë, të gjithë me fanellën e Boston Celtics. Ai është shpallur në 5 raste ‘MVP’, ndërkohë që ka fituar edhe 2 tituj kampion si trajner, arritje këto që vështirë se mund të përsëriten ndonjëherë.