NBA, Denver triumfon kundër New Orleans; Clippers fitojnë derbin e Los Angeles

Sport

Denver Nuggets mbeten skuadra për t’u mundur në ‘Konferencën e Perëndimit’. Nikola Jokic dhe Jamal Murray i dhanë një tjetër fitore ekipit nga Kolorado, teksa mposhtën me rezultatin e ngushtë 99-98 New Orleans Pelicans, në parketin e këtyre të fundit. Tashmë të konfirmuar në krizë rezultatesh, ata të New Orleans provuan të merrnin fitoren në sekondat e fundit, por gjuajtja për 3 pikë e CJ McCollum nuk ishte e saktë. Jokic shënoi një tjetër ‘triple-double’, i 15-i për këtë sezon, me 25 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste. 25 pikë edhe nga Jamal Murray, që vijon me formën e mirë në ndeshjet e fundit.

Ndërkohë ata të Clippers e kanë kthyer në traditë fitoren në derbin e Los Angeles ndaj Lakers. Të udhëhequr nga Kawhi Leonard dhe Paul George, Clippers triumfuan 133-115, duke e çuar në 35 fitore e 7 humbje në përballjet direkt në derbi që nga 2012-a. Clippers e dominuan lojën që nga fillimi, teksa shënuan plot 77 pikë brenda pjesës së parë. 27 pikë e 9 ribuande për Geroge; 25 pikë e 9 ribaunde për Leonard, që e kanë kthyer skuadrën e tyre sërish në një nga pretendentët. Tek Lakers, ai që shkëlqeu ishte LeBron James, me plot 46 pikë të shënuara, teksa regjistroi një rekord karriere me 9 gjuajtje të saktë nga përtej harkut. Po ashtu James, me pikët e shënuara ndaj Clippers, ia del të numërojë ndeshje me të paktën 40 pikë ndaj të gjitha skuadrave në NBA, ndërkohë që është vetëm 178 pikë larg rekordit të Kareem Abdoul-Jabbar.

Fitore në limite edhe për Washington Wizards, që triumfuan 127-126 ndaj Dallas Mavericks, në një sfidë që pati jo pak polemika për fundin e saj. Doncic realizoi 41 pikë, 15 ribaunde e 6 asiste,  po ishte një faull i tij ndaj Kuzma-s që vulosi takimin, me këtë të fundit që ishte shënuesi më i mirë për Wizards me 30 pikë.

Kanë marrë humbjen e dytë radhazi ata të Boston Celtics, pasi u mposhtën me rezultatin e ngushtë 98-95 nga Miami Heat. Bam Adebayo ishte ai që shënoi koshin vendimtar të ndeshjes, ndërkohë që Tatum, nuk e menaxhoi si duhet topin në sekondat e fundit.

Fitore në limite edhe për New York Knicks, që mposhtën 105-103 në ‘Madison Square Garden’ Cleveland Cavaliers. Chicago Bulls ndërkohë u ndalën nga Indiana Pacers 110-116, edhe pse shënuesi më i mirë i takimit ishte DeMar DeRozan me 33 pikë.