NBA, Denver siguron shkëmbimin për Johnson; Ayton firmos me LA Lakers

Sport

Denver Nuggets do të bëjnë gjithçka për t’u rikthyer tek titulli kampion në NBA. Skuadra nga Kolorado ka realizuar një nga lëvizjet më domethënëse të kësaj vere, duke sakrifikura një emër si Michael Porter Jr dhe një zgjedhje të raundit të parë në ‘Draft’-in e 2032-shit, për të afruar nga Brooklyn Nets, Cam Johnson. Ky ishte më i rëndësishmi nga disa lëvizje të Nuggets këtë verë, për t’i dhënë Nikola Jokic mbështetjen e duhur në parket. Denver shkëmbeu edhe Dario Saric me Jonas Valanciunas, ndërkohë që u firmos edhe me Tim Hardaway Jr. dhe Bruce Brown, për të garantuar cilësi edhe në stol. Sa i përket marrëveshjes së shkëmbimit mes Porter dhe Johnson, ata të Denver Nuggets i kanë hequr vetes edhe pagesën prej 34 milionë dollarësh në kontratën me tashmë ish-lojtarin e tyre, duke dalë nga lista e pagesave të luksit të parashikuar nga rregullorja në NBA.

Më në perëndim, Los Angeles Lakers kanë konfirmuar nënshkrimin me DeAndre Ayton si lojtar i lirë, duke e përzgjedhur si qendrën e kërkuar prej kohësh tashmë në radhët e kalifornianëve. Edhe pse objektivat kryesorë ishin Mark Williams dhe Myles Turner, Lakers nuk ia dolën të siguronin asnjë prej tyre. Kërkesat e Charlotte Hornets për Williams mbeten të mëdha, ndërkohë që Turner firmosi si lojtar i lirë me Milwaukee Bucks. Kështu, Ayton mbetej lëvizja më e arsyeshme dhe ekonomike për Lakers, që shpresojnë të rikthejnë formën e atij që dikur, ishte zgjedhja e parë e ‘Draft’-it të vitit 2018. Tek Lakers gjithësesi qëndrojnë të kujdesshëm edhe në lidhje me situatën e LeBron James, pasi së fundmi, zërat për një largim të tij nga Kalifornia po shtohen gjithnjë e më shumë, ndonëse vetë veterani ka zgjedhur të mos i komentojë.