Denver Nuggets ia kanë dalë mbanë të lënë pas një seri negative prej 4 humbjesh radhazi, teksa kanë triumfuar në transfertën me Detroit Pistons, me rezultatin 119-100. Një fitore e arritur me përmbysje për të besuarit e trajnerit Malone, falë një Nikola Jokic dominues në parketin e ‘Little Ceasar Arena’. Serbi ishte protagonisti kryesor me 30 pikë, 10 ribaunde e 9 asiste, ndërkohë që Nuggets ia dolën të siguronin avantazhin vetëm në periodën e katërt. Ndeshje të mirë bënë edhe Caldwell-Pope me 20 pikë të shënuara apo Jamal Murray, që u ndal në 19 pikë, 6 ribaunde e 10 asiste.
Milwaukee Bucks janë ndalur në anën tjetër nga Indiana Pacercs, në një takim që rezultoi më i vështirë se sa pritej për lojtarët e Mike Budenholzer. Indiana vinte me dëshirën e madhe për të fituar, pasi shpreson ende tek një biletë në fazën ‘play-in’, duke kaluar 139-123, kryesuesit e ‘Konferencës së Lindjes’. Edhe pse Giannis Antetokoumpo ishte shënuesi më i mirë me 25 pikë, kjo nuk mjaftoi për ekipin nga Wisconsin. Plot 3 lojtarë të Indianës e arritën kuotën e 20 pikëve, ndërkohë që ndeshje të mirë bëri edhe TJ McConnell, me 19 pikë e 12 asiste. Gjithësesi, kjo humbje nuk prish bilancet për skuadrën e Bucks, që vijon të ruajë kreun e renditjes.
Vazhdojnë paraqitjet e mira për Sacramento Kings, që morën një triumf të rëndësishëm, 101-96, në transfertën ndaj Brooklyn Nets. Domantas Sabonis ishte ylli i mbrëmjes me 24 pikë e 21 ribaunde, çfarë rezultoi vendimtare për skuadrën e trajnerit Broën.
Phoenix Suns mposhti në limite Orlando Magic, 116-113, edhe pse vinin dukshëm si favoritë në këtë përballje, vuajtën jo pak për të lënë pas serinë prej 3 humbjesh radhazi. U desh një bllok i Okogi-t ndaj Banchero-s, për të vulosur fitoren e Suns, që mbeten në vendin e katërt të renditjes në ‘Konferencën e Perëndimit’. Ndalen ndërkohë ata të Oklahoma City Thunder, që u mposhtën nga Toronto Raptors 128-111, me kanadezët që duken solidë drejt fazës ‘play-in’.