NBA, Denver nuk ndalet as ndaj Portland; Philadelphia triumfon kunder LA Clippers

Sport

Denver Nuggets nuk kanë ndërmend të heqin dorë nga vendi i parë në ‘Konferencën e Perëndimit’. Skuadra nga Kolorado mori një tjetër fitore të rëndësishme, pasi mposhtën 122-113 Portland Trail Blazers. Denver pati një avantazh të lehtë në periodën e parë të sfidës, por diferencat u bënë në 12 minutat e treta të takimit, ku Nuggets udhëhiqnin ndaj Trail Blazers me 12 pikë më shumë. Për Portland nuk mjaftoi as një super Damian Lillard, i cili shënoi 44 pikë e shërbeu 8 asiste. Ndërsa tek Denever, ishte sërish Nikola Jokic që bëri lideri, me një ‘triple-double’-in e 13 për këtë sezon, teksa realizoi 36 pikë, 12 ribaunde e 10 asiste.

Fitore me peshë edhe për Philadelphia 76ers, që mposhtën 120-110 Los Angeles Clippers. Pas një periode të parë me 7 pikë avantazh, gjërat u bënë më të thjeshta për skuadrën e trajnerit Doc Rivers, që u mbështet edhe njëherë tjetër tek dominimi i Joel Embiid. Kamerunasi shënoi 41 pikë e fitoi 9 duele për rikuperimin e topit nën tabelë, duke eklipsuar në këtë mënyrë paraqitjen e yllit të Clippers, Kawhi Leonard, që u ndal në 27 pikë të shënuara. Philadelphia ngjitet kështu në vendin e tretë të renditjes në ‘Konferencën e Lindjes’, duke përfituar nga humbja e Brooklyn Nets.

Njujorkezët u mposhtën në Teksas nga San Antonio Spurs, me rezultatin 106-98. Veç mungesës së Kevin Durant të dëmtuar, Nets luanin edhe pa Kyrie Irving, ndërkohë që Spurs-at morën maksimumin nga lojtarët e tyre kryesorë. Teksanët morën një avantazh prej 12 pikësh që në periodën e parë, të udhëhequr nga Keldon Johnson, i cili e mbylli me 36 pikë e 11 ribaunde.

Edhe pse luajnë pa Giannis Antetokounmpo, Milwaukee Bucks kanë marrë fitoren e dytë radhazi, duke triumfuar 130-122 ndaj Toronto Raptors. Jrye Holiday ishte më i miri për skuadrën nga Wisconsin, me 37 pikë, 6 ribaunde e 7 asiste, ndërkohë që kontribut të rëndësishëm dhanë edhe emra si Grayson Allen, Brook Lopez apo Bobby Portis. Për Raptors, Fred VanVleet bëri një ndeshje të madhe me 39 pikë, 9 ribaunde e 7 asiste, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.