Nikola Jokic mbetet kandidati më i fortë për titullin e ‘MVP’ edhe në këtë sezon të NBA. Lideri i Denver Nuggets, i cili është shpallur si lojtari më i vlefshëm në dy sezonet e fundit, vazhdon paraqitjet e tij të mira, teksa në fitoren e arritur ndaj Houston Rockets 133-112, i mjaftuan për 28 minuta në parket, për të regjistruar një ‘triple-double’. 14 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste ishin shifrat e siguruara nga ana e gjigandit serb, që kanë vendosur emrin e tij në një listë të veçantë të historisë së NBA. Jokic u bë i lojtari i gjashtë në historinë e basketbollit amerikan që ia arrin kuotën e 100 ‘triple-double’-ave në karrierën e tij. Ajo ndaj Houston Rockets ishte një mbrëmje që shumëkush në vendin e Jokic do ta mbante mend gjatë, por serbi as nuk donte të kishtë një ceremoni apo moment vëmendjeje në qendër të parketit. I pyetur pas sfidës së fituar ndaj Rockets në lidhje me këtë arritje të tij, Jokic me modestinë që e karakterizon u shpreh se çdo gjë është meritë e skuadrës dhe ai është i lumtur me mënyrën se si Denver po luan, duke shpresuar për të patur një sezon sa më të mirë edhe në fazën ‘playoffs’.
Jokic numëron tashmë 100 ‘triple-double’ në karrierë, duke u vënë krah emrave si LeBron James, Jason Kidd, Magic Johnson, Oscar Robertson dhe Russell Westbrook, i cili ka rekordin absolut me 198 ‘triple-double’. Lideri i Nuggets është vetëm 28 vjeç dhe duke parë performancat e tij, apo edhe stilin e lojës, mbërritja e Westbrook në krye të kësaj liste nuk është një mision i pamundur.