Denver Nuggets kanë arritur për herë të parë në historinë e klubit të tyre në finalet e mëdha të NBA. Skuadra nga Kolorado është shpallur si kampione e ‘Konferencës së Perëndimit’, teksa triumfuan 4-0 ndaj Los Angeles Lakers, në një seri të dominuar nga ana e ‘Nikola Jokic & co.’ Duke e ditur se rrezikonin eleminimin e turpshëm me ‘sëeep’, Lakers provuan të jepnin gjithçka në këtë përballje të katërt, të luajtur në ‘Crypto.com Arena’. Vendasit morën nën kontroll takimin, aq sa në fundin e pjesës së parë regjistruan një avantazh prej 15 pikësh. Mirëpo gjithçka që skuadra e Darvin Ham ndërtoi në fraksionin e parë të lojës, do të përmbysej brenda periodës së tretë nga Nuggets. Denver fitoi me rezultatin e pjesshëm 36-16, duke i dhënë një leksion skuadrës kundërshtare në të gjitha aspektet. Lakers provuan të reagonin dhe në minutat e fundit, rezultati ishtë shumë i ngushtë. Me vetëm 2 pikë distancë, James provoi të çonte sfidën në kohën shtesë, mirëpo u ndal nga Aaron Gordon dhe Jamal Murray, që i siguruan në këtë mënyrë fitoren 113-111 skuadrës së tyre, çfarë i dërgon në finalet e mëdha të këtij sezoni.
Nikola Jokic ishte më i dalluari për skuadrën e trajnerit Michael Malone, me 30 pikë, 14 ribaunde e 13 asiste, duke regjistruar një tjetër ‘triple-double’, me sytë nga titulli i parë në karrierë, që do të ishte edhe i pari për klubin e Denver Nuggets. Jamal Murray u ndal në 25 pikë të shënuara në sfidën e katërt ndaj Lakers, kurse Gordon shënoi 3 më pak. Tek Lakers, më i miri ishte LeBron James me 40 pikë, 10 ribaunde e 9 asiste, por që nuk mjaftuan për të ndryshuar fatin e skuadrës. Kjo ishte hera e tretë në karrierën e LeBron që eleminohet me ‘sëeep’ në fazën ‘playoffs’, që për shumë njerëz, është një shenjë se ‘mbreti’ duhet të fillojë të mendojë seriozisht për tërheqjen.