NBA, Denver e Phoenix fitojnë sërish; Clippers ndalin vrullin e Bulls

Sport

Dy nga skuadrat më të mira të këtij sezoni të rregullt në NBA, Denver Nuggets e Philadelphia 76ers kanë provuar forcën ndaj njëra-tjetrës, ndonëse ata të Sixers, luanin pa shërbimet e James Harden apo Joel Embiid. Në anën tjetër, Nuggets nuk kursyen Nikola Jokic dhe Jamal Murray, që i dhanë fitoren skuadrës nga Kolorado, me rezultatin 116-111. ‘The Joker’ kompletoi ‘triple-double’-in e 29 për këtë sezon, me 25 pikë, 17 ribaunde e 12 asiste. Ndërsa tek Sixers, më i dalluari ishte Tyrese Maxey, i cili ishte shënuesi më i mirë i ndeshjes me 29 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.
Phoenix Suns po ashtu morën një fitore të rëndësishme ndaj Utah Jazz, 117-103. Skuadra nga Arizona mori kontrollin e takimit që në periodën e parë, ku siguruan një avantazh prej 11 pikësh. Devin Booker bëri liderin për Suns, me 24 pikë e 7 ribaunde, ndërkohë që Chris Paul u ndal në 9 pikë e 10 asite. Utah kishte shënuesin më të mirë të takimit, Lauri Markkanen, me 25 pikë, por finlandezi shpërdoroi shumë gjuajtje për 3 pikë, duke mos i dhënë drejtimin e duhur sfidës. Me këtë fitore, Phoenix ruan pozitat në vendin e katërt të renditjes së ‘Konferencës së Perëndimit’, duke i rezistuar presionit të Los Angeles Clippers.
Kalifornianët në anën tjetër morën një fitore me peshë ndaj një prej skuadrave më në formë të momentit, Chicago Bulls, duke i mposhtur në ‘Crypto.com Arena’ me rezultatin 124-112. Clippers arritën të përmbysnin lojën në periodën e dytë, pasi Chicago e shfaqi qartë dëshirën për të marrë një rezultat pozitiv. Kawhi Leonard bëri liderin skuadrën e tij, me 22 pikë, 7 ribaunde e 6 asiste. Po 22 pikë të shënuara edhe nga Eric Gordon, ndërkohë që diferencën për trajnerin Tyronn Lue e bëri francezi Nicolas Batum, i cili ishte i saktë në tetë gjuajte për 3 pikë, nga dhjetë tentativa në total.
Dallas Mavericks u rikthyen tek fitorja, duke mposhtur 127-104 Indiana Pacers, kurse Milëaukee Bucks kaluan 126-117 Detroit Pistons, edhe pse luanin pa Giannis. Fitore të rëndësishme morën edhe ata të Minnesota Timberwolves, që kaluan 119-115 Sacramento Kings.