NBA, Denver e Milwaukee bëjnë ‘detyrën’; Oklahoma ‘tronditet’ nga Wembanyama

Sport

Denver Nuggets dhe Phoenix Suns vijojnë me formën e mirë në ‘Konferencën e Perëndimit’, teksa siguruan fitoret e radhës, respektivisht ndaj Miami Heat dhe Houston Rockets. Kampionët në fuqi morën një avantazh prej 16 pikësh që në periodën e parë, por Miami ia doli të rihapte sfidën në 12 minutat pasardhëse, duke rikuperuar 11 pikë. Megjithatë, Nuggets triumfuan në fund 103-97, me Michael Porter Jr. që ishte shënuesi më i mirë për ta me plot 30 pikë. Ai dha një kontribut të rëndësishëm edhe me 11 ribaunde, ndërkohë që Nikola Jokic u ndal në 18 pikë, 11 ribaunde e 7 asiste. Për Miami-n, Adebayo shënoi 22 pikë, kurse Butler 21, por që nuk e shmangën këtë humbje për skuadrën e trajnerit Spoelstra.
Phoenix Suns në anën tjetër kaloi 110-105 Houston Rockets, në një ndeshje ku shkëlqeu Devin Booker me 35 pikë. Durant u ndal në 24 pikë, ndërkohë që Nurkic siguroi një tjetër ‘double-double’, me 16 pikë e 13 ribaunde. Tek Houston, Jalen Green ishte më i dalluari me 34 pikë, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Në ‘Konferencën e Lindjes’, Milwaukee Bucks morën fitoren e katërt radhazi, pasi mposhtën 111-99, në transfertë, Charlotte Hornets. Giannis Antetokounmpo ishte ai që i udhëhoqi lojtarët e Bucks, me 24 pikë e 10 ribaunde, ndërkohë që Damian Lillard u ndal në 17 pikë e 6 ribaunde. Me këtë fitore, Bucks sigurojnë pozitat e tyre në vendin e tretë të renditjes, teksa tani synojnë të marrin edhe vendin e dytë, në dëm të Cleveland Cavaliers.
Humbje e papritur ndërkohë për Oklahoma City Thunder, që u befasuan 132-118 nga San Antonio Spurs. Edhe pse Gilgeous-Alexander bëri një nga performancat e tij të zakonshmë tashmë me 31 pikë të shënuara, kanadezi nuk mjaftoi që Oklahoma të triumfonte. Kjo, për shkak se tek Spurs, patën dy lojtarë që shënuan nga 28 pikë: Devin Vassell dhe Victor Wembanyama, me këtë të fundit që ishte i rëndësishëm edhe me 13 ribaunde e 7 asiste.
Los Angeles Lakers vuajtën jo pak ndaj Washington Wizards, pasi arritën të triumfonin me rezultatin 134-131, vetëm pas kohës shtesë.