NBA, Denver e Memphis nuk ndalen; Warriors mposhtin Portland dhe synojnë ‘playoffs’

Sport

Denver Nuggets vazhdojnë të dominojnë sezonin e rregullt në NBA, teksa siguruan fitoren e 44-t për këtë sezon, pasi mposhtën pa shumë probleme 133-112 Houston Rockets. Jamal Murray i bëri gjërat shumë të thjeshta për trajnerin Malone, me 32 pikë të shënuara, duke qenë i vetmi në parket që e kaloi kuotën e 20 pikëve. Ndërsa Jokic nuk luajti më shumë se 28 minuta, por që mjaftuan për ‘triple-double’-in e tij të 100 në karrierë me 14 pikë, 11 ribaunde e 10 asiste.

Edhe Memphis Grizzlies nuk kanë bërë hap fals, pasi triumfuan në shtëpi 121-109 ndaj Los Angeles Lakers, me këta të fundit që luanin pa shërbimet e LeBron James e D’Angello Russell. Lideri i Grizzlies, Ja Morant ishte ai që vulosi fatin e kësaj përballjeje, duke regjistruar një ‘triple-double’ me 39 pikë, 10 ribaunde e 10 asiste. Ndeshje të mirë tek Memphis bëri edhe Tillman me 18 pikë e 11 ribaunde, ndërkohë që për Lakers, shkëlqeu Anthony Davis, me 28 pikë e 19 ribaunde, por që vlejnë vetëm për statistikat e tij personale.

Një nga përballjet më të rëndësishme në ‘Konferencën e Perëndimit’ ishte ajo mes Golden State Warriors dhe Portland Trail Blazers, kundërshtarë direkt për një vend në fazën finale të sezonit. Kampionët në fuqi respektuan pritshmëritë përpara tifozëve të tyre, duke triumfuar 123-105, edhe pse vijojnë të luajnë pa Steph Curry. Jordan Poole ishte shënuesi më i mirë i takimit me 29 pikë, ndërkohë që lideri i Portland, Damian Lillard, u ndal në 25 pikë. Tani Warriors janë ngjitur në vendin e pestë të renditjes, duke u përpjekur të shmangin fazën ‘play-in’.
Ata përfituan nga humbja e Clippers, 101-108 ndaj Minnesota Timberwolves, në një ndeshje po aq të rëndësishme për ‘playoffs’. Edhe pse Paul George e Kawhi Leonard ishin shënuesit më të mirë të sfidës, me respektivisht 25 e 23 pikë, Clippers nuk ia dolën të ruanin avantazhin deri në fund, duke marrë humbjen e tretë radhazi.

Në takimet e tjera, Milwaukee Bucks mposhtën 118-104 Brooklyn Nets, me Giannis Antetokounmpo që bëri liderin në rikthimin e tij në parket me 33 pikë të shënuara.

Bucks marrin përkohësisht vendin e parë të renditjes në ‘Konferencën e Lindjes’, ndërkohë që Brooklyn tashmë ka zbritur në vendin e gjashtë. Fitore me peshë edhe për Washington Wizards, që ende shpresojnë në fazën ‘play-in. Kryeqytetasit mposhtën 119-116 Atlanta Hawks, në një takim ku diferencën e bëri Bradley Beal me 37 pikë.