NBA, Deni Avdija, basketbollisti me origjinë kosovare që mund t’i bashkohet elitës

Sport

NBA është absolutisht skena më e madhe që çdo basketbollist në botë ëndërron të bëhet pjesë. Nga sezoni i ardhshëm, pjesë e kësaj elite mund të bëhet edhe një basketbollist me origjinë kosovare. Bëhet fjalë për Deni Avdija, i cili në fakt luan për kombëtaren izraelite dhe që përflitet se mund të jetë një ndër pesë zgjedhjet e para të ‘draftit’ për këtë vit. Avdija është djali i një ish-basketbollisti nga Prishtina dhe është pjesë e Izraelit për shkak të kombësisë së nënës së tij. Talenti 19-vjeçar ka fituar vëmendje të madhe me paraqitjet e tij me skuadrën e Maccabi Tel Aviv dhe sidomos me të rinjtë e kombëtares izraelite. Deri përpara ndalimit të sportit në muajin mars, Deni Avdija regjistronte një mesatare prej 12,3 pikësh, 5,9 rikuperimesh dhe 2,4 asiste në 27 minuta për ndeshje. Kështu, edhe gjigandi mediatik, ‘ESPN’ e pati vlerësuar në vendin e pestë si talentet më premtues të baskebollit. Në sfidën e rikthimit në parket, të cilën Maccabi Tel Aviv e fitoi 114-82, Avdija ia doli të realizonte 23 pikë, 5 asiste dhe 7 rikuperime të topit nën tabelë, në vetëm 24  minuta lojë. Është e qartë se e ardhmja e talentit me origjinë kosovare është në NBA, por vetë 19-vjeçari kërkon t’i marrë gjërat shtruar. Avdija kërkon që fillimisht t’i shkojë deri në fund luftës për titullin kampion në Izrael me Maccabi Tel Aviv, përpara se të bëjë lëvizjen më të rëndësishme të karrierës së tij, në NBA, ku shumë skuadra do të donit të kishin në radhët e tyer një talent si Avdija.