NBA, Dallas merr Wood nga Houston; Doncic i largohet shoku i tij i ngushtë

Sport

dhe pse ishte përfolur për një kalim tek Chicago Bulls, Christian Wood do të jetë nga sezoni i ardhshëm i NBA pjesë e Dallas Mavericks. 26-vjeçari u bë pjesë e një shkëmbimi të rëndësishëm mes dy skuadrave teksane, Dallas e Houston. Mavericks fitojnë një qendër shumë fleksible si Wood, i cili mund të jetë një ndihmë e rëndësishme për Luka Doncic. I gjatë 2 metra e 11 centimetra dhe rreth 97 kg i rëndë, Wood supozohet të dominojë lojën nën tabelë sa i përket ribaundeve, diçka që Dallas i ka munguar prej kohësh.

Nga ana tjetër, Houston Rockets do të përfitojnë zgjedhjen numër 26 në raundin e parë të ‘Draft’-it të këtij viti, teksa do të afrojë edhe 4 lojtarë që janë në përfundim kontrate, si Marquese Chriss, Trey Burke, Sterling Brown dhe Boban Marjanovic. Largimi i këtij të fundit padyshim që nuk është pritur shumë mirë nga ana e Doncic, pasi dyshja njihet për miqësinë e ngushtë me njëri-tjetrin. Gjithësesi, nga sezoni i ardhshëm, lideri i Dallas Mavericks do të ketë një mbështetje të madhe në parket me prezencën e Christian Wood, për të bërë realitet rikthimin e skuadrës teksane tek ‘Finalet’. Në dy sezone me Houston Rockets, 26-vjeçari ka regjistruar mesatarisht 19 pikë dhe 10 ribaunde për ndeshje. Nëse gjërat do të shkojnë mirë gjatë sezonit të ardhshëm, drejtuesit e Dallas Mavericks do të kërkojnë t’i rinovojnë kontratën Christian Wood, i cili në vitin e ardhshëm, supozohet të përfitojë rreth 14 milionë dollarë.