Stephen Curry duket se e ka lënë pas dëmtimin e pësuar në fillim të këtij viti dhe është gati për fazën ‘playoffs’. Lideri i Golden State Warriors zhvilloi një ndeshje të jashtëzakonshme në aspektin personal kundër Los Angeles Clippers, duke shënuar plot 50 pikë në 38 minuta që qëndroi në parket. Por pavarësisht kësaj paraqitjeje të yllit të tyre, kampionët në fuqi u mposhtën 134-126, në atë që ishte humbja e nëntë radhazi në transfertë për ta. Clippers ndërkohë krenohen me dyshen e tyre kryesore, Kaëhi Leonard e Paul George, që shënuan respektivisht 30 dhe 24 pikë.
Janë rikthyer tek fitorja ndërkohë atë të Boston Celtics, që mposhtën mes tensionit Minnesota Timberwolves, me rezultatin e ngushtë 104-102. Jaylen Brown e Jayson Tatum provuan të bënin diferencën për skuadrën e Joe Mazzulla-s, që u shfaq i irrituar edhe me arbitrat në fundin e lojës. Brown ishte shënuesi më i mirë me 35 pikë, teksa kompletoi një ‘double-double’ edhe me 10 ribaunde. ‘Double-double’ edhe për Tatum, me 22 pikë e 12 ribaunde ndërkohë që për Minnesota-n, më i miri ishte Anthony Edwards me 28 pikë e 10 ribaunde.
Fitore në limite për Sacramento Kings, që iu falën një 3-pikëshi të De’Aaron Fox në sekondat e fundit, për triumfin 117-114 ndaj Chicago Bulls. Përpara tifozëve të tyre, ata të Chicago-s dukeshin të vendosur për të marrë fitoren, me 3 lojtarët kryesorë të trajnerit Donovan që arritën minimalisht kuotnë e 20 pikëve, diçka që tek Kings e bëri vetëm Fox. Kurse DeMar DeRozan ishte shënuesi më i mirë në parket me 33 pikë, vetëm 1 më shumë se sa Fox. Megjithatë, ata të Kings u shfaqën si një skuadër më e kompletuar, me Domantas Sabonis që realizoi një tjetër ‘triple-double’ me 14 pikë, 17 ribaunde e 10 asiste.
Në takimet e tjera, Miami Heat mori një fitore shumë të rëndësishme ndaj Memphis Grizzlies 138-119, kurse Los Angeles Lakers ndalën serinë pozitive, pasi u mposhtën nga Houston Rockets 114-110. Rikthehen tek fitorja ata të Dallas Mavericks, që kaluan vetëm pas kohës shtesë San Antonio Spurs me rezultatin 137-128. Ndërsa Philadelphia tregoi forcën ndaj Cleveland, duke triumfuar 118-109 në shtëpinë e këtyre të fundit.